FLASH :

E gjithë ushtria shqiptare në kërkim të personit të zhdukur nga trageti, ende asnjë gjurmë

Një operacion i gjerë kërkim-shpëtimi po zhvillohet në brigjet shqiptare për gjetjen e një pasagjeri të raportuar të zhdukur nga trageti ndërkombëtar “AKKA”. Qendra Kombëtare e Kërkim-Shpëtimit (RCC Albania), në bashkëpunim me Forcat e Armatosura, Policinë Kufitare dhe autoritetet italiane (MRCC Roma, MRSC Bari dhe MRSC Venezia), ka kërkuar intensivisht përgjatë gjithë ditës së sotme në një hapësirë të madhe detare nga Kepi i Stillos në jug, deri në grykderdhjen e Semanit në veri.

Në operacion janë angazhuar 8 mjete ajrore e detare dhe 22 efektivë, përfshirë një dron TB2 të Forcave Ajrore, një helikopter UH-60 me 3 efektivë, anijen patrulluese P05 të Forcës Detare, një motor uji dhe katër mjete patrullimi të Policisë Kufitare (BP-01, BP-06, BP-09, BP-30).

Operacioni po zhvillohet në koordinim të vazhdueshëm ndërinstitucional dhe ndërkombëtar, duke respektuar të gjitha protokollet e kërkim-shpëtimit në det. Autoritetet konfirmojnë se kërkimet do të vijojnë edhe në ditët në vijim, në varësi të kushteve detare dhe zhvillimeve të hetimit.