FLASH :

Sekuestrohen 20 mjete lundruese nga Komani në Ksamil

Policia Kufitare dhe Njësia Policore Detare po vijojnë me intensitet të lartë kontrollet në kuadër të operacionit “Siguria Detare”, duke shtrirë monitorimet nga Velipoja në Ksamil, si dhe në zonat liqenore e lumore të vendit.

Vetëm gjatë javës së fundit janë kontrolluar 316 mjete lundruese, nga të cilat 20 janë bllokuar për shkelje të ndryshme. Konkretisht janë ndaluar 12 jet ski, 4 skafe, 2 gomone dhe 2 varka metalike me motor uji të instaluar. 8 prej këtyre mjeteve janë konstatuar duke lundruar brenda perimetrit të sigurisë, duke rrezikuar seriozisht jetën e pushuesve. Drejtuesit e tyre janë ndëshkuar me masa administrative prej 100.000 lekësh secili.

Në Komani – Ksamil, përmes ndërhyrjes së menjëhershme të Policisë Kufitare, janë shpëtuar 11 persona (shqiptarë dhe të huaj) që kishin mbetur në rrezik në det për shkak të dallgëve të forta apo defekteve në mjete. Në total, gjatë javës janë menaxhuar 8 raste emergjente përgjatë vijës bregdetare.

Policia apelon për respektimin strikt të rregullave të qarkullimit në det: mos shkelni perimetrin e sigurisë, përdorni vetëm zonat e lejuara dhe pajisuni me mjetet e shpëtimit. Çdo shkelje mund të raportohen në numrin pa pagesë 112, me garancinë e një reagimi të menjëhershëm dhe penalizimeve të ashpra për shkelësit.