Pamjet e publikuara nga brigada Rubizh e Gardës Kombëtare të Ukrainës tregojnë një dron duke lëshuar një biçikletë elektrike, që peshon rreth 40 kilogramë, pranë ushtarit të plagosur, i cili më pas shihet teksa largohet me të nga pozicionet ruse.
Sipas njoftimit zyrtar, tre pjesëtarë të brigadës humbën jetën nga zjarri armik gjatë operacionit në rajonin e Siverskut, në veri të Ukrainës, duke lënë të plagosurin të vetëm për pesë ditë me radhë për të ruajtur pozicionin.
Ushtari kishte pësuar një plagë në këmbë, gjë që e bënte të pamundur të largohej vetë nga zona.
“Armiku ndodhej përpara, pas dhe në të dyja anët, rrethimi ishte total”, tha Mykola Hrytsenko, toger i ri dhe shef i shtabit të brigadës, në një video të publikuar të mërkurën.
Ushtari tregoi se ekipi i tij kishte hartuar një plan të posaçëm evakuimi, ku u përfshinë dronë transportues për të çuar biçikletën elektrike në pozicionin ku ndodhej ai.
Këta dronë, zakonisht të përdorur nga Ukraina si bombardues, janë në gjendje të mbajnë ngarkesa të rënda dhe u përshtatën për këtë operacion. Dy përpjekje të para dështuan: njëri dron u rrëzua nga zjarri armik, ndërsa tjetri u përplas pasi iu dogjën motorët.
“Qasja me mjete ishte e pamundur, rreziku vinte nga të gjitha anët. Ai vetë nuk mund të largohej, pasi pozicioni më i afërt ishte 1.5 kilometra larg. Me plagët që kishte në gjymtyrët e poshtme, nuk do t’ia dilte dot”, thuhet në deklaratë.