Ish-gjyqtari dhe sipërmarrësi italian Davide Pecorelli, i njohur për inskenimin e vdekjes së tij në vitin 2021 në Shqipëri, ka dërguar një letër alarmante nga burgu 313 në Tiranë, ku ndodhet i paraburgosur. Në letrën drejtuar Gjykatës së Apelit dhe gjyqtarit Dritan Habanaj, me kopje për konsullatën italiane në Tiranë, Pecorelli denoncon kushtet çnjerëzore të paraburgimit dhe paralajmëron nisjen e një greve urie.
“Që nga data 8 maj 2025, dita e arrestimit tim, jetoj në një dhomë 16 metra katrorë me 8 persona, me minj në banjë dhe pa ujë të rrjedhshëm,” shkruan ai. Sipas tij, ndonëse më 9 maj Gjykata e Apelit ka konfirmuar arrestimin, motivimet zyrtare të vendimit nuk janë dorëzuar ende, duke i mohuar të drejtën për ankim.
“Ju komunikoj se me efekt të menjëhershëm futem në grevë urie, derisa të depozitohen arsyetimet,” përfundon ai, duke e firmosur si “i burgosuri nr. 34”.
Pecorelli, 49 vjeç, tronditi opinionin publik në vitin 2021, kur makina e tij u gjet e djegur në Pukë dhe u dyshua për vdekje. Por më pas u zbulua se ai kishte inskenuar vdekjen për të mashtruar siguracionin dhe për t’iu shmangur borxheve. Pas një periudhe në arrati, ai u kap në Itali në vitin 2022 dhe më pas u ekstradua në Shqipëri, ku po përballet me akuza për mashtrim, kallëzim të rremë dhe dëmtim prone.
Në një telefonatë ekskluzive nga burgu, e publikuar sot nga gazeta italiane La Nazione, Pecorelli shprehet:
“Kam humbur 6 kilogramë, por më trajtojnë mirë. Kushtet janë ekstreme.” Ai thotë se ka dorëzuar rekurs në kasacion dhe se ka një “dritë të parë” për zgjidhje ligjore.
Gazetari italian Fabrizio Paladino thekson se Pecorelli është në gjendje të rënduar fizike dhe psikologjike, ndërsa mbrojtja e tij në Shqipëri dhe Itali po denoncon vonesat dhe mungesën e transparencës në procesin gjyqësor.
Pecorelli thekson se janë kaluar më shumë se tre muaj pa u depozituar motivimet e arrestit, duke vënë në pikëpyetje zbatimin e standardeve ligjore në Shqipëri. Shoqatat për të drejtat e njeriut në Itali janë përfshirë në çështje, duke ngritur shqetësime për trajtimin e të burgosurve të huaj.
Rasti i Pecorellit po rikthehet në vëmendje si një simbol i mungesës së besimit në drejtësi, në një kohë kur zërat për përmirësimin e sistemit penitenciar shqiptar po shtohen. Greva e urisë së shpallur nga ai pritet të shkaktojë jehonë jo vetëm në Tiranë, por edhe në mediat ndërkombëtare.


