Kryeministri Edi Rama ka befasuar sërish publikun me një dalje të papritur LIVE në Facebook, ku nga makina e tij foli për lirimin e hapësirave publike. Por, ndryshe nga herët e tjera, ajo që tërhoqi gjithë vëmendjen nuk ishte mesazhi i tij, por pamja – e cila u komentua gjerësisht në rrjet si “qesharake” dhe “e pazakontë për një kreun e qeverisë”.
Në vend që të diskutonin për çështjen e lirimit të trotuareve dhe hapësirave urbane, ndjekësit në rrjet u përqendruan te stili i Kryeministrit – konkretisht, syzet luksoze që mbante gjatë transmetimit.
Nga një kërkim në internet rezulton se syzet e përdorura nga Rama i përkasin markës “Alain Mikli”, një brand ekskluziv francez i themeluar nga stilisti me origjinë franko-armene. Në faqen zyrtare të kompanisë, një palë syze të ngjashme kushtojnë rreth 332 dollarë (rreth 28 mijë lekë të reja).
Në rrjet, përdoruesit nuk kursyen ironinë:
“Me këto syze më mirë shiko veten në pasqyrë para se të flasësh për publikun”, shkruan një komentues.
Të tjerë e krahasuan pamjen me një performancë artistike, duke harruar përmbajtjen e mesazhit që kryeministri synonte të përcillte.
Kjo nuk është hera e parë që Rama ngjall reagime për stilin e tij të veçantë. Por këtë herë, mesazhi për “çlirimin e qytetit” u mbyt në valën e komenteve për modën, makinën dhe stilin vizual të transmetimit.






