FLASH :

Nga Maksi Çami/Kryeministri dhe frika nga drejtësia reale

Nga Maksi Cami

Prej kohësh, kryeministri i Shqipërisë është përfshirë në një ofensivë publike të paprecedentë ndaj institucioneve të drejtësisë konkretisht ndaj Prokurorisë së Posaçme (SPAK) dhe Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO). Sulmet e tij nuk janë më të fshehura pas nuancave politike apo frazave të koduara. Tashmë gjuha është e drejtpërdrejtë, kërcënuese dhe e përshkuar nga paniku.
Shkak për këtë shpërthim duket të jetë arrestimi i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, si dhe ndalimi i një grupi të gjerë pedagogësh dhe zyrtarësh të Universitetit Bujqësor. Por më shumë se sa aktet individuale, ajo që ka tronditur qeverinë është një e vërtetë më e madhe: drejtësia po guxon të prekë të paprekshmit.
Kryeministri kërkon që gjykatat të japin llogari pse zbatojnë ligjin. Ai pyet se përse Veliaj nuk u la i lirë, pse nuk u përdor një masë më e lehtë, pse “u la qyteti pa kryetar”. Në të vërtetë, ai nuk është i shqetësuar për qytetarët apo për funksionimin institucional, por për faktin se pushteti nuk po e kontrollon më drejtësinë. Ky është thelbi i të gjithë panikut që ka shpërthyer në piramidën qeverisëse.
Për të forcuar narrativën e tij, kryeministri ka shkuar deri aty sa të krahasojë SPAK-un dhe GJKKO-n me “jakobinët” grupin radikal revolucionar francez që përdori terrorin dhe gijotinën për të spastruar kundërshtarët. Kjo krahasim është absurd dhe manipulativ. Jakobinët vepronin nën urdhrat e qeverisë. SPAK dhe GJKKO, përkundrazi, po veprojnë pikërisht sepse nuk janë nën urdhra politikë. Ata nuk i shërbejnë më “shpatës” dhe “thesit”.
Në teorinë kushtetuese, kjo është ndarja e pushteteve: parlamenti kontrollon buxhetin (thesin), qeveria ka forcën e ekzekutimit (shpatën), ndërsa drejtësia simbolikisht dhe realisht ka peshoren. Ajo që ndodh në Shqipëri është se thesin dhe shpatën i ka mbërthyer një dorë e vetme, ajo e kryeministrit. Dhe kur peshoresa lëviz e pavarur, ai e shpall “jakobine”.
Në realitet, asgjë nga ajo që po ndodh nuk është represion apo terror shtetëror. Po ndodh diçka shumë më e frikshme për pushtetin: llogaridhënie. Një sistem drejtësie që nuk pyet më për grada, për vota, për parti. Një sistem që nuk të mbron më vetëm sepse je “i rëndësishëm”. Dhe kjo përbën kërcënimin më të madh ndaj rendit të vjetër. Rama flet për “represion”, për “gjak”, për “drejtësi të verbër” por ai nuk flet për provat. Nuk flet për tenderët, për abuzimet, për faktet e mbledhura nga prokuroria. Ai nuk kërkon drejtësi më të mirë ai kërkon drejtësi të kontrolluar.
Në vendet demokratike, nuk ka rëndësi nëse je votuar nga një milion njerëz. Nëse ke shkelur ligjin, do të përgjigjesh para tij. Nëse akuzohesh, duhet të vërtetosh pafajësinë në gjykatë, jo në studio televizive apo përmes protestave të organizuara. Asnjë funksion publik, asnjë numër votash nuk të përjashton nga ligji. Të gjithë liderët autoritarë nga Orban në Hungari, te Erdogan në Turqi kanë ndjekur të njëjtën strategji: sulm ndaj drejtësisë sa herë që ajo bëhet e pavarur. Në Shqipëri, kjo është një skemë tashmë e njohur. Historia jonë tranzicioni është e mbushur me shembuj kur gjyqësori u kthye në instrument politik, në mburojë për të pushtetshmit. Por kjo herë duket ndryshe.
Drejtësia shqiptare ka shumë për të përmirësuar. Ka ende mangësi, vonesa, burokraci dhe raste selektiviteti. Por kur një drejtësi guxon të prekë pushtetin në majë, ajo nuk është më e kapur. Dhe në vend që të përmirësojë drejtësinë, qeveria ka zgjedhur ta godasë atë. Jo sepse nuk ka besim, por sepse nuk ka më kontroll. Për herë të parë pas dekadash, peshorja po anon drejt barazisë dhe kjo, për ata që kanë jetuar mbi ligjin, është e padurueshme.