Një 76-vjeçar është akuzuar për keqtrajtim të fëmijëve pas një rasti të dyshuar helmimi në një kamp veror për fëmijët në Leicestershire, ku tetë fëmijë dhe një i rritur përfunduan në spital. Jonathan Ruben, një veteriner në pension dhe një nga drejtuesit e fondacionit “Stathern Children’s Holiday Fund”, u arrestua të hënën dhe do të dalë para gjykatës këtë të shtunë, më 2 gusht.
Kampi, që shërbente për fëmijët nga shtresat në nevojë në Nottingham, u mbyll menjëherë pasi fëmijët shfaqën simptoma shqetësuese. Ruben u arrestua në parkimin e një pub-i vetëm 3 milje nga objekti ku u mbajt kampi. Ai përballet me tre akuza për trajtim të qëllimshëm dhe të keq të fëmijëve, konkretisht ndaj tre djemve.
Ndërkohë që të gjithë të prekurit janë jashtë rrezikut, autoritetet britanike po zhvillojnë një hetim të thelluar. Policia e Leicestershire është vetë-denoncuar për mënyrën se si reagoi ndaj njoftimeve fillestare, pasi dyshohet se nuk ndërhyri menjëherë pas marrjes së sinjalizimit.
Shtëpia e Ruben në zonën e pasur të Ruddington është kontrolluar nga hetuesit që prej së hënës, ndërsa fqinjët janë shprehur të tronditur nga ngjarja. “Ai ka qenë një fqinj i mirë dhe një njeri i përkushtuar ndaj bamirësisë – është e pabesueshme kjo që ka ndodhur”, tha një banor lokal.
Policia po heton gjithashtu nëse Ruben ka administruar një substancë helmuese me qëllim për të lënduar, ofenduar ose shqetësuar të miturit. Hetimi është marrë në dorë nga Njësia Speciale për Krime të Rënda në Midlands, ndërsa Zyra për Sjelljen e Pavarur të Policisë (IOPC) ka nisur një hetim paralel për vonesat në reagim.
Ky incident ka tronditur opinionin publik në Mbretërinë e Bashkuar dhe ka vënë në qendër të vëmendjes sigurinë në kampet për fëmijë dhe përgjegjësitë e drejtuesve të tyre.
