Etrit Berisha ka qenë protagonisti absolut i një mbrëmjeje europiane emocionuese, duke udhëhequr BK Häcken drejt një kualifikimi dramatik ndaj Anderlecht, skuadër e drejtuar nga trajneri shqiptar Besnik Hasi. Në sfidën e zhvilluar në Göteborg, vendasit fituan 2-1 në kohën e rregullt, por pas dy pjesëve shtesë pa gola, gjithçka u vendos nga penalltitë.
Në ruletën e 11-metërshave, Berisha mori rolin e liderit: priti penalltinë e katërt të belgëve dhe më pas shënoi vetë goditjen vendimtare që i dha kualifikimin skuadrës suedeze për në raundin e tretë të Ligës së Europës. Ky ishte një tjetër moment magjik për portierin kuqezi, i cili vetëm pak javë më parë i dhuroi BK Häcken edhe trofeun e Kupës së Suedisë.
Me paraqitje vendimtare dhe qetësi në momentet më delikate, Berisha po konfirmohet si simboli i skuadrës, ndërsa vëmendja ndaj tij po rritet ndjeshëm edhe në arenën ndërkombëtare. BK Häcken vazhdon rrugëtimin europian, ndërsa Berisha vazhdon të shkëlqejë në rolin e liderit të padiskutueshëm.