Ndërsa vala globale e të nxehtit bëhet gjithnjë e më e fortë dhe më e gjatë, shkencëtarët po zbulojnë një pasojë alarmante të klimës në trupin e njeriut: ndikimin e saj të drejtpërdrejtë në tru. Nga rritja e sulmeve epileptike te shtimi i goditjeve në tru, nga çrregullimet e gjumit te rritja e dhunës dhe depresionit, truri ynë po lufton për të përballuar vapën që po rritet çdo vit. Ky është një realitet i ri që prek sidomos më të sëmurët, të moshuarit, gratë shtatzëna dhe shtresat e varfra.
Ndikimi i nxehtësisë ekstreme në tru është bërë objekt i studimeve urgjente nga komuniteti shkencor, pasi vala e të nxehtit në rritje po përkeqëson sëmundjet neurologjike dhe po dëmton shëndetin mendor të miliona njerëzve.
Jake, një djalë i diagnostikuar me sindromën Dravet, një formë e rëndë epilepsie që ndikohet nga temperaturat, ka përjetuar qindra kriza që nga foshnjëria. Verërat gjithnjë e më të nxehta kanë shtuar vuajtjet e tij dhe të familjes. “Nxehtësia po e shkatërron ngadalë,” thotë nëna e tij.
Sipas neurologut britanik Sanjay Sisodiya, truri është jashtëzakonisht i ndjeshëm ndaj temperaturës. Molekulat që transmetojnë sinjalet ndërmjet qelizave ndalojnë së funksionuari normalisht nëse truri ngrohet shumë. Dhe këtë po e vuajnë miliona pacientë: nga ata me epilepsi e sklerozë multiple, te ata me migrenë, encefalit apo sëmundje psikiatrike si skizofrenia.
Gjatë valës së të nxehtit në Europë në vitin 2003, rreth 7% e vdekjeve të tepërta kishin shkak neurologjik. E njëjta situatë u përsërit në Mbretërinë e Bashkuar në vitin 2022.
Nxehtësia ndikon gjithashtu në vendimmarrjen tonë, shton rrezikun për sjellje agresive, depresion dhe përkeqësim të gjumit. Në pacientët me demencë, shtohet rreziku i vdekjes sepse nuk përshtaten dot me kushtet ekstreme, nuk pinë mjaftueshëm ujë, nuk mbyllin dritaret apo dalin në diell pa kuptuar rrezikun.
Studime të reja lidhin rritjen e temperaturës me shtim të rasteve me goditje në tru. Në 25 vende, gjatë ditëve më të nxehta janë regjistruar 2 vdekje shtesë për çdo 1.000 raste me goditje ishemike – që do të thotë mbi 10 mijë vdekje të shmangshme në vit në nivel global.
Ndikimi është më i rëndë në vendet me të ardhura të ulëta, që përballen edhe me mungesë infrastrukture për përballimin e të nxehtit.
Tek gratë shtatzëna, nxehtësia ekstreme lidhet me lindje të parakohshme, një rrezik për zhvillimin neurologjik të foshnjës. Sipas një analize të fundit, rritja e temperaturave lidhet me 26% më shumë lindje të parakohshme.
Për më tepër, temperaturat e larta po dobësojnë barrierën mbrojtëse të trurit, duke lejuar më shumë toksina, baktere e viruse të hyjnë. Me përhapjen e mushkonjave që mbartin viruse si Zika, rreziku për dëmtime neurologjike po rritet.
Medikamentet për sëmundjet e trurit gjithashtu mund të humbasin efektin në kushte të nxehta, duke e bërë trajtimin edhe më të vështirë. Njerëz të ndryshëm reagojnë ndryshe ndaj vapës, dhe faktorët gjenetikë mund të jenë përcaktues.
“Nëse sot po e shohim këtë ndikim te pacientët me sëmundje neurologjike, nesër mund të prekë të gjithë,” paralajmëron Sisodiya.
Me verat që bëhen gjithnjë e më të zjarrta, “epoka e trurit të nxehtë” ka nisur dhe kërkon urgjentisht masa parandaluese, nga sistemet e paralajmërimit, te mbështetja ekonomike për më të prekurit.