FLASH :

Peshkun e mirë na e merr Europa, Kina dhe India furnizojnë tregun shqiptar

Në Shqipëri, deti është një pasuri natyrore e madhe, por peshku më i mirë shkon kryesisht në eksport, ndërsa në tregun vendas serviren prodhime deti të importuara nga vende si Kina, India, Pakistani, Indonezia, Gambia, Namibia, Bangladeshi, Kili, Egjipti, vende që në Europë shpesh shmangen për këtë kategori ushqimesh.

Sipas të dhënave zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, gjatë viteve 2023-2025, importet e prodhimeve të detit në Shqipëri janë në rritje: vetëm në vitin 2023 u importuan mbi 7.5 milionë kg, në vitin 2024 kjo sasi u rrit në mbi 8.6 milionë kg, dhe në gjashtëmujorin e parë të vitit 2025 u importuan mbi 5 milionë kg.

Në anën tjetër, peshku shqiptar eksportohet më tepër drejt vendeve të Bashkimit Europian, me Italinë, Norvegjinë dhe Serbinë si destinacionet kryesore. Në vitin 2023 u eksportuan mbi 5.3 milionë kg peshk, ndërsa në gjashtëmujorin e parë të 2025 sasia e eksportuar ishte afërsisht 3.6 milionë kg.

Këto të dhëna zyrtare tregojnë një paradoks të vërtetë pasi ndërsa peshku më cilësor shqiptar shkon jashtë, qytetarët konsumojnë peshk dhe fruta deti të importuar nga vende me standarde të diskutueshme, duke u privuar nga produktet e freskëta vendase.