Shkencëtarët kanë krijuar një platformë të Inteligjencës Artificiale që mund të përshtasë përbërësit e proteinave dhe të armatosë qelizat imunitare për të luftuar kancerin. Metoda e re , e publikuar në Science, tregon sesi për herë të parë proteinat mund të dizenjohen në kompjuter për të orientuar qelizat imunitare që të shënjestrojnë ato kancerogjence përmes molekulave pMHC.
Kjo shkurton ndjeshëm procesin e gjetjes së molekulave vepruese për trajtimin e kancerit nga disa vjet në javë.
“Ne po krijojmë një ‘palë’ sy të rinj për sistemin imunitar. Metodat e tanishme për trajtimin e kancerit bazhohen te gjetja e receptorëve të qelizave T në sistemin imunitar të një pacienti ose dhuruesi që mund të përdoren për trajtim. Ky është një proces që kërkon kohë dhe është sfidues. Platforma jonë krijon të dhëna molekulare për të shënjestruar qelizat kancerogjene duke përdorur IA dhe e bën me shpejtësi të pabesueshme, kështu që molekula mund të jetë gati për 4-6 javë”, thotë profesori dhe autori i studimit, Timothy P. Jenkins nga Technical University of Denmark.
Në studim, shkencëtarët testuan forcën e platformës me një objektiv të njohur kanceri, NY-ESO-1, që gjendet në disa lloje të sëmundjes. Më pas, krijuan një mini-lidhës që ngjitet pas molekulave pMHC të NY-ESO-1. Kur proteina vendosej te qelizat T, krijonte një produkt të veçantë që u quajtën qeliza IMPAC-T të cilat orientonin qelizat T për të vrarë ato kancerogjene, në testet laboratorike.
Gjithashtu ata krijuan të njëjtën gjë për një qelizë kancerogjene të identifikuar te një pacient me melanomë në metastazë. Kjo tregon se metoda mund të përdoret edhe për imunoterapi të personalizuar kundrejt shënjestrave të reja të kancerit.
Një hap thelbësor ishte zhvillimi i një kontrolli virtual sigurie. Ekipi përdori IA për të filtruar molekulat që mund të shfaqnin efekte anësore ndaj qelizave të shëndetshme.
Sipas Jenkins, mund të duhen deri në pesë vite para se metoda e re të jetë gati për testet e para klinike te njerëzit. Kur të jetë gati, procesi do t’u përngjajë trajtimeve të tanishme. Pacientëve do t’u merret një kampion gjaku, qelizat imunitare do të veçohen nga ky kampion gjaku dhe do të modifikohen në laborator për molekulat me IA. Më pas, qelizat e përforcuara imunitare injektohen te pacienti ku veprojnë si bomba duke gjetur dhe larguar qelizat kancerogjene.