Një tregtar financiar nga Londra, Simon Entwistle, ka fituar një betejë ligjore të ashpër në Gjykatën e Apelit, pasi kishte marrë vetëm 325 mijë paund nga pasuria 60 milionë paund e ish-bashkëshortes së tij miliardere, Jenny Helliwell.
Çifti ishte martuar në një ceremoni luksoze prej 500 mijë paundësh në Paris në vitin 2019 dhe jetonte në një vilë 4.5 milionë paund në Dubai, dhuratë nga babai i pasur i Helliwell-it. Por martesa zgjati vetëm tre vjet dhe përfundoi në vitin 2022, kur Entwistle u nxor jashtë shtëpisë me urdhër ligjor brenda 48 orëve.
Fillimisht, gjykata e divorcit i dha Entwistle vetëm 0.5% të pasurisë, pasi nënshkrimi i një marrëveshjeje paramartesore parashikonte që secili do të mbante pasuritë e veta. Por ai e apeloi vendimin, duke pretenduar se ishte viktimë e paragjykimit gjinor dhe se marrëveshja ishte e pavlefshme për shkak se Helliwell kishte fshehur pothuajse 48 milionë paund nga pasuria e saj reale.
Tani, Gjykata e Apelit në Londër i dha të drejtë, duke konkluduar se Helliwell kishte vepruar në mënyrë të qëllimshme dhe mashtruese, duke mos deklaruar 73% të pasurisë së saj kur nënshkroi marrëveshjen.
“Mosdeklarimi i qëllimshëm i pjesës më të madhe të pasurisë e bën marrëveshjen të pavlefshme,” tha Lady Justice King, duke shtuar se Entwistle ishte “qëllimisht i privuar nga informacioni që i duhej për të marrë vendim të informuar”.
Entwistle kishte kërkuar 2.5 milionë paund, duke pretenduar se i duheshin 36 mijë paund në vit për fluturime dhe 26 mijë paund për plan ushqimi vetëm për veten, pasi – sipas fjalëve të tij – “nuk di të gatuaj as omëletë”. Por gjykatësi i çështjes së parë ia refuzoi kërkesën, duke i thënë:
“Martesa me një person të pasur për tre vjet nuk të jep të drejtën të jetosh si milioner gjithë jetën.”
Ai e ironizoi Entwistle duke shtuar:
“Ti thua se nuk di të gatuash një omëletë. Mëso. Nuk është aq e vështirë.”
Më herët, Helliwell i kishte ofruar 500 mijë dhe më pas 800 mijë paund për të shmangur procesin gjyqësor, por Entwistle refuzoi, duke insistuar në kërkesën për më shumë.
Tani që marrëveshja paramartesore është rrëzuar, çështja do të rikthehet në Gjykatën e Lartë, ku pasuria pritet të rishpërndahet nga e para.
Ky vendim ka ngritur sërish debat në Britani për barazinë gjinore në divorc, pasi avokatja e Entwistle argumentoi se nëse rolet do të ishin të kundërta, një grua me të njëjtat pretendime do të kishte përfituar shumë më tepër.


