FLASH :

Tufa me para CASH mbi kofanon e Lambos 600 mijë USD të blerë nga Noizy ngrenë dyshime për evazion fiskal nga reperi

Reperi i njohur shqiptar Noizy ka ndezur rrjetet sociale me veturën e tij më të re, një Lamborghini Revuelto, një nga modelet më të fuqishme dhe më të shtrenjta të prodhuara ndonjëherë nga Lamborghini. Me një vlerë që arrin deri në 600 mijë dollarë, makina luksoze është kthyer në qendër të vëmendjes jo vetëm për çmimin e saj marramendës, por edhe për mënyrën e “prezantimit” që bëri artisti shqiptar.

Në videon e shpërndarë në rrjetet sociale, mbi kofanon e supermakinës shihen tufa me para cash, të ekspozuara si pjesë e një skenografie luksi. Por ky veprim ka ngritur menjëherë dyshime serioze për evazion fiskal, pasi një shumë kaq e madhe parash e mbajtur jashtë sistemit bankar ngre pikëpyetje mbi burimin dhe mënyrën e deklarimit të të ardhurave të reperit.

Është e vërtetë që Noizy performon rregullisht në koncerte dhe ngjarje ku siguron fitime të majme, por mosmarrja e këtyre të ardhurave me kontratë, faturë tatimore dhe përmes sistemit bankar bie në kundërshtim me ligjin dhe e ekspozon artistin ndaj dyshimeve të mëdha për shmangie tatimore. Veçanërisht kur bëhet fjalë për një figurë publike, që përveçse ka ndikim të madh, ka qenë edhe i lidhur ngushtë me strukturat e pushtetit.

Kujtojmë që fillimisht Noizy u përdor për propagandë nga kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, por pas burgosjes së këtij të fundit, tashmë duket se lideri i OTR është ulur në prehrin e kryeministrit Edi Rama, për të cilin bëri hapur fushatë në zgjedhjet e fundit parlamentare.

Me këtë veprim, Noizy nuk ka dashur vetëm të tregojë makinën e re, por edhe të “reklamojë” pasurinë e tij, duke e shndërruar mjetin në një skenografi të luksit ekstrem. Pamja me tufat e parave mbi motorin e Lamborghini-t është bërë virale në rrjetet sociale dhe ka ndezur debat mbi mënyrën e të shprehurit të pasurisë publike nga personazhet e njohur.

Reperi, i cili njihet për koleksionin e tij të makinave të shtrenjta dhe jetën ekstravagante, e ka shoqëruar postimin me fjalët:
“Erdha për klip, dola me këtë…”, duke lënë të kuptohet se makina është pjesë e një projekti muzikor të radhës – por mesazhi i vërtetë duket të jetë shumë më i thellë: një demonstrim i pushtetit financiar dhe ndikimit të tij, përtej muzikës.