FLASH :

Qeveria mbulon 2.3 milionë lekë për mjekimin e drejtoreshës së APP-së, Reida Kashta

Këshilli i Ministrave ka miratuar sot një vendim për mbulimin e shpenzimeve të mjekimit të drejtoreshës së Agjencisë së Prokurimit Publik, Reida Kashta, në vlerën e 2 milionë e 300 mijë lekëve.

Sipas dokumentit zyrtar, fondi do të përballohet nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, ndërsa pagesa do të kryhet me paraqitjen e faturave përkatëse të institucionit ku do të trajtohet Kashta.

Vendimi është marrë në mbështetje të Kushtetutës, ligjit për buxhetin e vitit 2025 dhe akteve të tjera në fuqi për financimin e shërbimeve shëndetësore spitalore. Në mungesë të kryeministrit Edi Rama, vendimi është firmosur nga zëvendëskryeministrja Belinda Balluku.

Autoritetet nuk kanë dhënë detaje mbi gjendjen shëndetësore të Kashtës dhe arsyen e saktë të këtij financimi, ndërkohë që vendimi hyn në fuqi menjëherë.

V E N D I M PËR MBULIMIN E SHPENZIMEVE TË MJEKIMIT TË ZNJ. REIDA KASHTA
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të ligjit nr.115/2024, “Për buxhetin e vitit 2025”, të ndryshuar, dhe në vijim të vendimit nr.15, datë 9.1.2025, të Këshillit të Ministrave, “Për financimin e shërbimeve shëndetësore spitalore nga skema e detyrueshme e sigurimeve të kujdesit shëndetësor për vitin 2025”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:

  1. Mbulimin e shpenzimeve të mjekimit të znj. Reida Kashta, në masën 2 300 000 (dy milionë e treqind mijë) lekë.
  2. Ky fond përballohet nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.
  3. Pagesa bëhet me paraqitjen e faturave përkatëse të institucionit të kurimit.
  4. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor për zbatimin e këtij vendimi.
    Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
    K R Y E M I N I S T R I
    EDI RAMA
    Në mungesë dhe me porosi
    ZËVENDËSKRYEMINISTRI
    BELINDA BALLUKU