FLASH :

KAS kërkon nga Celibashi kallëzim penal për numëruesit që tjetërsuan votat

Rinumërimi dhe rivlerësimi i votave në këto zona zgjedhore ka treguar në disa raste mospërputhje të theksuara mes tabelave të rezultateve të hartuara nga grupet e numërimit të KZAZ-ve dhe gjendjes reale të fletëve të votimit në kuti, gjatë procesit të rinumërimit në kuadër të shqyrtimit ankimor në KAS.

Këto mospërputhje kërkojnë një hetim të mëtejshëm administrativ nga ana juaj, me qëllim identifikimin e anëtarëve të përfshirë në grupet e numërimit të votave. Sipas nenit 19, pika 1, shkronja “b” të ligjit, është Komisioneri ai që drejton dhe mbikëqyr, drejtpërdrejt ose përmes administratës së KQZ-së, punën e administratës zgjedhore gjatë procesit zgjedhor dhe referendumeve.

Ky hetim administrativ është me rëndësi të veçantë, pasi nga rezultatet e rinumërimit në KAS, ka dalë se në disa tabela të numërimit dhe vlerësimit të votave, rezultatet e miratuara nga grupet përkatëse nuk përputhen me atë që rezulton realisht në fletët e votimit. Këto mospërputhje, në pamje të parë, tregojnë se në disa raste është bërë tjetërsim i rezultatit nga anëtarët e grupeve të numërimit.

Hetimi është i nevojshëm për të dalluar rastet që përbëjnë kundërvajtje administrative, ato që ngjallin dyshime të arsyeshme e të mbështetura në prova për kryerje veprash penale zgjedhore, nga ato raste që nuk përbëjnë shkelje të procedueshme.