FLASH :

Ktheu zyrën në fole falsifikimi, Apeli i ul 2 vite burg ish-drejtorit të Kadastrës Gjirokastër – Florian Taçi përfiton gjykim të shkurtuar, dënohet edhe vartësi, lirohet i treti

Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë ka shpallur me vendim të formës së prerë fajtor Florian Taçin, ish-drejtorin e Kadastrës së Gjirokastrës, duke i ulur dënimin nga 6 në 4 vite burg, për veprat penale të falsifikimit të dokumenteve zyrtare dhe mashtrimit, kryer në bashkëpunim.

Taçi përfitoi gjykim të shkurtuar, ndaj do të vuajë 2.8 vite burg, ku nga kjo periudhë do t’i zbritet koha e arrestit shtëpiak, çka i lë për të vuajtur rreth 1 vit e gjysmë në një burg të sigurisë së zakonshme. Pritet në orët në vijim ekzekutimi i urdhrit të prokurorit të çështjes.

Në të njëjtin vendim, Apeli la në fuqi edhe dënimin me 4 vite burg për Alban Memishën, ish-punonjës në Kadastrën e Gjirokastrës dhe bashkëpunëtor i ngushtë i Taçit në veprimtarinë e paligjshme. Edhe Memisha përfitoi gjykim të shkurtuar dhe do të vuajë 2.5 vite burg.

Ndërkohë, u lirua nga të gjitha akuzat Julian Nakuçi, për të cilin më herët Gjykata e Shkallës së Parë kishte caktuar masën “detyrim paraqitje” për një periudhë 8-mujore.

Florian Taçi dhe Alban Memisha u arrestuan më 28 shkurt 2024, në një operacion blic të policisë, teksa u kapën në flagrancë duke përpiluar tapi të falsifikuara në zyrën e Kadastrës së Gjirokastrës. Hetimet zbuluan se Taçi kishte akses të drejtpërdrejtë në serverin qendror të Kadastrës, dhe përmes ndërhyrjes në sistem, manipulonte pronësitë e tokave dhe pasurive, duke pajisur individë të tjerë me certifikata të falsifikuara me vula dixhitale.

Pas arrestimit, në muajin mars 2024, Gjykata e Apelit e kishte vendosur Taçin në arrest shtëpiak, masë që do t’i zbritet nga koha e vuajtjes së dënimit. Vendimi i parë ishte dhënë nga Gjykata e Gjirokastrës më 4 dhjetor 2024, ndërsa tani është marrë forma përfundimtare dhe pritet zbatimi.

Rasti i zbardhur në Gjirokastër nxori në pah abuzimet e rënda me sistemin e pasurive të paluajtshme, ku një drejtues lokal i emëruar politikisht ktheu institucionin publik në një qendër të organizuar falsifikimesh, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme për qytetarët dhe për vetë shtetin shqiptar.