FLASH :

“Mos thuaj rrena kurr, o f’mi” – Bashkia Shkodër kundër kritikëve të pushimeve nga Teatri Migjeni: Riorganizim për cilësi, jo për hakmarrje politike

Me tone të qarta dhe në një deklaratë të zgjeruar për opinionin publik, Bashkia Shkodër ka reaguar ndaj valës së kritikave që kanë shpërthyer pas largimit të dy aktorëve nga trupa e Teatrit “Migjeni”. Në deklaratë, Bashkia e konsideron zhurmën si një “furtunë në gotë” të ushqyer politikisht nga segmentë të së djathtës, ndërsa thekson se vendimi është marrë vetëm mbi bazën e mungesës së produktivitetit dhe mungesës së angazhimit profesional të individëve të prekur.

Në këtë kontekst, nuk mungon ironia ndaj zërave kritikë, përmes një thirrjeje që kujton moralin e poezisë “Rrena” të Dom Ndre Mjedës: “Mos thuaj rrena kurr, o f’mi…”, duke lënë të kuptohet se narrativa e ngritur në mbrojtje të aktorëve të larguar është e pabazë dhe e nxitur nga interesa politike.

Në sqarimin e saj, Bashkia thekson se:

  • Riorganizimi i trupës artistike erdhi pas një bilanci të detajuar të performancës së secilit aktor, ku rezultoi se disa nuk kishin përmbushur pritshmëritë dhe objektivat për tre vite radhazi;
  • Largimi nga puna është një proces i natyrshëm në çdo sektor, kur nuk përmbushen detyrimet e kontratës së punës;
  • “Talent lind, nuk të bën partia!” – thuhet në deklaratë, duke hedhur poshtë idenë se vendimet u diktuan nga preferenca politike.

Bashkia nënvizon se largimi i aktorëve nuk do të ndikojë në cilësinë apo numrin e shfaqjeve të sezonit të ri artistik. Përkundrazi, riorganizimi synon forcimin e veprimtarisë artistike dhe ngritjen e cilësisë së shfaqjeve në përputhje me pritshmëritë e publikut shkodran.

Në fund, autoritetet vendore kujtojnë se një vit më parë pati alarme të ngjashme për “shkrirjen” e Teatrit Migjeni, ndërsa sot fakti është se teatri po rrit numrin e shfaqjeve dhe përmirëson kushtet për artistët dhe publikun.

Sezoni i ri artistik, thuhet në deklaratë, do të jetë një sukses i merituar për Shkodrën dhe artin skenik në qytet – pa ndikime politike dhe me përkushtim ndaj cilësisë.