FLASH :

Video/Himarë – Pushuesit kosovar i vidhen 1400 euro nga automjeti në Porto Palermo, kapet një prej autorëve

Një ngjarje e pakëndshme ka ndodhur në plazhin e “Porto Palermos”, ku një pushues nga Kosova është bërë viktimë e një vjedhjeje, teksa kishte parkuar automjetin e tij pranë zonës turistike.

Sipas njoftimit zyrtar nga Policia e Himarës, më datë 26 korrik 2025, një shumë prej 1400 eurosh u vodh nga brenda automjetit të pushuesit kosovar. Pas kallëzimit të bërë dhe hetimeve intensive nga specialistët për Hetimin e Krimeve, është bërë i mundur identifikimi dhe arrestimi në flagrancë i njërit prej autorëve të dyshuar.

I ndaluari është A. S., 25 vjeç, banues në Kosovë, i cili sipas hetimeve rezulton se ka vepruar në bashkëpunim me një person tjetër, ende në kërkim. Dyshohet se autorët kanë ndjekur lëvizjet e viktimës dhe kanë kryer vjedhjen në momentin që ai ishte larg automjetit.

Gjatë operacionit, policia sekuestroi si prova materiale shumën e vjedhur dhe një automjet tip Volkswagen, i cili dyshohet se është përdorur për realizimin e vjedhjes.

Materialet procedurale janë referuar pranë Prokurorisë së Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprën penale “Vjedhja”, kryer në bashkëpunim.

Policia e Himarës vijon punën për identifikimin dhe kapjen e bashkëpunëtorit, ndërsa apelon qytetarët dhe turistët të tregojnë kujdes me mjetet dhe sendet personale, sidomos në zonat me fluks të lartë gjatë sezonit veror.

Njoftimi i policise:

Himarë

Identifikohet dhe vihet në pranga 25-vjeçari që dyshohet se vodhi 1400 euro nga automjeti i një pushuesi, në plazhin e “Porto Palermos”.

Sekuestrohen shuma e vjedhur dhe automjeti i përdorur për kryerjen e vjedhjes.

Si rezultat i veprimeve të shpejta profesionale të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Himarë, u bë e mundur identifikimi dhe arrestimi në flagrancë i autorit të dyshuar të vjedhjes së një shume parash nga automjeti i një pushuesi, shtetasit:

A. S., 25 vjeç, banues në Kosovë.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se ky shtetas, në bashkëpunim me një shtetas tjetër, për të cilin vijon puna për kapjen, më datë 26.07.2025, ka vjedhur shumën prej 1400 euro nga automjeti i një pushuesi, i cili ishte i parkuar në plazhin e “Porto Palermos”.

Shuma e vjedhur, së bashku me automjetin tip Volkswagen, i cili dyshohet se është përdorur për kryerjen e vjedhjes, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprën penale “Vjedhja”, kryer në bashkëpunim.