FLASH :

Tesla dhe Samsung finalizojnë marrëveshjen 16.5 miliardë dollarëshe për prodhimin e çipave të rinj në Teksas

Elon Musk konfirmoi të dielën në një postim në platformën X se Samsung do të prodhojë çipin e ri të gjeneratës AI6 të Tesla-s në një fabrikë të re në Teksas, duke shënuar një nga marrëveshjet më të mëdha në historinë e kompanisë koreanojugore në fushën e gjysmëpërçuesve. Ky çip i avancuar do të përdoret në makinat autonome të Tesla-s, si dhe në robotët humanoidë dhe modelet e reja të inteligjencës artificiale të kompanisë.

Fabrika në fjalë ndodhet në Taylor, rreth 50 kilometra nga uzina ekzistuese e Samsung në Austin, dhe Musk e cilësoi vendndodhjen si “e përshtatshme”, duke shtuar se ndodhet pranë shtëpisë së tij në Teksas. Ai e përshkroi projektin si me “rëndësi strategjike të vështirë për t’u mbivlerësuar”, duke theksuar se do të ndjekë personalisht procesin për të përshpejtuar ritmin e zhvillimit.

Marrëveshja konsiderohet si një fitore e madhe për Samsung, e cila ka humbur vitet e fundit klientë të mëdhenj si Google për shkak të rendimentit të ulët të prodhimit dhe konkurrencës së fortë nga TSMC. Tesla do të ndihmojë drejtpërdrejt në rritjen e efikasitetit të prodhimit, çka përbën një bashkëpunim të rrallë mes një prodhuesi makinash dhe një gjiganti teknologjik.

Sipas Musk, kontrata fillestare është vlerësuar në 16.5 miliardë dollarë, por ai parashikon që prodhimi i çipave të arrijë një vlerë “shumëfish më të lartë” në vitet në vijim. Aktualisht, Samsung prodhon çipin AI4 për Tesla, por kishte humbur kontratën për versionin AI5, që iu dha TSMC-së.

Çipi AI6 do të ndërtohet duke përdorur teknologjinë më të fundit të 2 nanometrave, një arritje e madhe në miniaturizimin dhe fuqinë llogaritëse të çipave, duke përmbajtur deri në 50 miliardë transistorë në përmasa sa një thua. Ky hap përkon gjithashtu me objektivat e Aktit të Çipave dhe Shkencës të SHBA-së, i cili synon të rikthejë prodhimin e gjysmëpërçuesve në tokën amerikane dhe të reduktojë varësinë nga tregjet aziatike.

Ky partneritet pritet të forcojë më tej pozitat e Tesla-s në garën për dominimin e inteligjencës artificiale dhe automjeteve autonome, ndërsa i jep Samsung një tjetër shans për të konkurruar seriozisht në tregun global të çipave.