Elon Musk postoi një meme që bënte shaka me vdekjen e miliarderit George Soros, donatorin 94-vjeçar të Partisë Demokratike, pas disa vdekjeve të figurave të njohura.
Drejtuesi i kompanive të teknologjisë ndau të dielën një imazh të “Vdekjes” që kërkonte Sorosin në një lojë me kthetra për kapjen e lodrave, disa ditë pas vdekjes së Hulk Hoganit dhe Ozzy Osbourne-it.
Musk e ka kritikuar prej kohësh Sorosin. Më herët këtë vit, ai e krahasoi Sorosin me keqbërësin e “Star Wars”, Darth Sidious. Në vitin 2023, Musk tha se Sorosi “e urrente njerëzimin” dhe se “ai donte të shpërbënte vetë strukturën e qytetërimit.”
Soros është shpesh në qendër të kritikave të komentuesve konservatorë për shkak të mbështetjes së tij të madhe për politikanë demokratë dhe kauza progresive.
Të dielën, Musk ndau një imazh të “Vdekjes” pranë një loje me kthetra për kapjen e lodrave, me përshkrimin: “Oh jo jo jo… fillimisht Ozzy, tani Hulk? A është George Sorosi në këtë gjë të dreqit?”
Memja përbën një rimodelim të një shakaje të kahershme në qarqet e majta për Henry Kissinger-in, që shfaqej sa herë që vdiste ndonjë figurë e njohur. Ajo humbi përdorimin në vitin 2023, kur vdiq vetë Kissinger-i.
Krahasimet midis Soros-it dhe Musk janë shtuar që kur Musk ka intensifikuar aktivizmin e tij politik dhe mbështetjen për republikanët në dy vitet e fundit. Të dy miliarderët përdorin pasurinë për të mbështetur kauzat politike në të cilat besojnë dhe janë kthyer në simbol të zemërimit për kampet kundërshtare politike.
Në dhjetor, pas përfshirjes së Musk-ut në fushatën e suksesshme presidenciale të Donald Trump-it, Musk iu përgjigj sugjerimeve se ai ishte kthyer në një figurë si Sorosi në të djathtën politike.
“Besoj se dikush duhet të jetë George Soros-i i të djathtës,” tha Musk. “Domethënë, unë do ta quaja veten George Sorosi i qendrës, besoj.”
Ai shtoi: “Është e qartë se kemi nevojë për gjërat bazë. Siç tha presidenti Trump, ajo që na duhet është rikthimi i arsyes së shëndoshë.
Duam qytete të sigurta, kufij të mbrojtur, shpenzime të arsyeshme, liri fjale, respekt për Kushtetutën. Nëse kjo do të thotë George Sorosi i së djathtës, atëherë ky jam unë.”
Me 22 korrik, Osbourne, vokalisti i grupit Black Sabbath, vdiq në moshën 76-vjeçare. Me 24 korrik, Hulk Hogan, legjendë e WWE dhe Hall of Famer, vdiq në moshën 71-vjeçare.
Elon Musk shkroi në X me 7 janar: “Sorosi me të vërtetë ishte një gjeni në arbitrazh, qofshin ato financiare apo politike. Ai gjithashtu zbuloi si të merrte një shumë të vogël fondesh private dhe ta kthente në financim masiv nga shteti. Gjeni. Vetëm se do të doja që ai ta donte, dhe jo ta urrente, njerëzimin.”
Musk, i cili u largua nga roli i tij si kreu i Departamentit për Efiçencën Qeveritare në administratën Trump në maj dhe që më pas pati një përplasje publike me Trump-in, ka njoftuar planet për të krijuar një parti të re të quajtur “Partia e Amerikës” pas miratimit nga republikanët të ligjit “One Big Beautiful Bill Act” që rriti borxhin.