FLASH :

Operacion dramatik shpëtimi në Cornwall: Rojet bregdetare zbresin me litar nga shkëmbi për të shpëtuar dy persona të izoluar nga dallgët

Një operacion shpëtimi spektakolar është zhvilluar në brigjet e Cornwall, në jugperëndim të Anglisë, ku dy persona mbetën të izoluar nga baticat pranë plazhit Greenaway. Rojet bregdetare u detyruan të zbresin me litarë nga një shkëmb i pjerrët për t’i shpëtuar, në një skenë që u filmua dhe po bën xhiron e rrjeteve sociale.

Në pamjet dramatike, ekipet e shpëtimit shihen duke përdorur pajisje alpinistike për të zbritur me kujdes nga faqja e shkëmbit, ndërsa të bllokuarit presin më poshtë. Uji ishte ngjitur shumë afër tyre, duke rritur rrezikun që ata të përfshiheshin nga dallgët nëse ndërhyrja do të vonohej edhe për pak minuta.

Operacioni përfundoi me sukses dhe të dy personat u nxorën të sigurt, pa lëndime. Autoritetet bregdetare kanë paralajmëruar sërish qytetarët që të jenë të kujdesshëm me ndryshimet e papritura të baticës dhe të informohen mirë për oraret e saj përpara se të eksplorojnë zonat shkëmbore të izoluar ose plazhet më pak të frekuentuara.