Kombet e Bashkuara i kanë bërë thirrje Iranit që të vendosë menjëherë një moratorium për dënimin me vdekje, duke e quajtur situatën “shqetësuese”, pas një rritjeje të madhe të ekzekutimeve në këtë shtet gjatë vitit 2025.
Sipas deklaratës së Komisionerit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Volker Türk, të paktën 612 persona janë ekzekutuar në Iran gjatë gjysmës së parë të këtij viti – më shumë se dyfishi i numrit të raportuar në të njëjtën periudhë të vitit 2024, kur u regjistruan 297 raste.
Türk theksoi se një pjesë e madhe e të ekzekutuarve i përkasin grupeve minoritare, ndërsa procedurat gjyqësore shpesh janë zhvilluar me dyer të mbyllura, pa respektuar standardet ndërkombëtare të një procesi të drejtë.
Më shumë se 40% e dënimeve me vdekje janë lidhur me shkelje të ligjeve për drogën, ndërsa të tjerët janë dënuar për akuza si “armiqësi ndaj Zotit” dhe “korrupsion në Tokë”, të cilat, sipas OKB-së, përdoren për të shtypur zërat kritikë ndaj autoriteteve.
Aktualisht, të paktën 48 persona ndodhen në listën e pritjes për ekzekutim.