Një pamje rrëqethëse nga Rripi i Gazës ka prekur opinionin publik në mbarë botën: një foshnjë e sapolindur është nxjerrë nga barku i nënës së saj e cila kishte ndërruar jetë, thuhet si pasojë e një bombardimi ajror. Videoja e ngjarjes, e cila zgjat vetëm pak sekonda, shfaq përpjekjet e personelit shëndetësor për të shpëtuar foshnjën, ndërsa trupi i pajetë i nënës ndodhet pranë.
Ende nuk dihet nëse foshnja ka mbijetuar, por burime lokale konfirmojnë se ajo është transportuar me urgjencë në spital nën kujdes intensiv.
Ngjarja e rëndë vjen në një moment ku lufta në Gaza vijon me intensitet, duke shkaktuar humbje të mëdha në radhët e civilëve, përfshirë gra shtatzëna dhe fëmijë. Organizatat ndërkombëtare kanë bërë thirrje për ndërprerje të menjëhershme të zjarrit dhe leje për ndihma humanitare, ndërsa raportet për viktima mes grave dhe fëmijëve po shtohen çdo ditë.
Pamjet e shpërndara janë një dëshmi e dhimbshme e pasojave që po lë pas konflikti, duke rikujtuar kostot e larta humane që mbeten të pamatshme.