Policia e Pogradecit ka shoqëruar një shtetas të dyshuar në lidhje me ngjarjen e rëndë ku u gjet e pajetë 52-vjeçarja Kozeta Teco, në banesën e saj në një pallat pranë qendrës së qytetit. I dyshuari, Ilirjan Selmani, një i ri nga Pogradeci që dyshohet se ka pasur lidhje intime me viktimën, është marrë në pyetje dhe më pas është shoqëruar për të kryer eksperimentin hetimor në vendin e ngjarjes.
Pamjet e kamerave të sigurisë së bizneseve përballë pallatit ku ndodhi ngjarja rezultuan kyçe për identifikimin dhe shoqërimin e të dyshuarit. Në vijim të hetimeve, policia ushtroi kontroll pranë kazaneve të mbeturinave, ku gjeti një palë pantallona, peshqirë dhe kartpeceta me njolla gjaku, të cilat dyshohet se janë përdorur nga autori për të fshirë gjurmët dhe pastruar vendin e krimit.
Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se në trupin e viktimës janë konstatuar shenja mbytjeje dhe dëmtime me mjet prerës, çka përforcon dyshimet se ngjarja është konsumuar me dhunë fizike të konsiderueshme dhe ka qenë e planifikuar. Hetuesit dyshojnë gjithashtu se autori i dyshuar ka ndezur disa vatra zjarri në ambiente të ndryshme të banesës, me qëllim për të shkatërruar provat, përfshirë veshje apo sende të tjera të gjakosura.
Ndërkohë që pista e një lidhjeje personale mbetet kryesore, policia nuk përjashton as mundësinë e një grabitjeje apo konflikti për pronë, duke hetuar edhe këto drejtime paralelisht.
Vetë Ilirjan Selmani ka mohuar përfshirjen, duke deklaruar përpara efektivëve: “S’jam unë autori.” Hetuesit janë duke analizuar të gjitha provat materiale të sekuestruara dhe pritet që ekspertiza laboratorike mbi to të ndihmojë në dokumentimin ose përjashtimin e përfshirjes së tij.
Hetimet vijojnë me intensitet për të zbardhur plotësisht motivin, dinamikën dhe përgjegjësinë penale të personave të përfshirë në këtë ngjarje që ka tronditur qytetin e Pogradecit.