Organizata kryesore për të drejtat e njeriut në Izrael, B’Tselem, ka akuzuar qeverinë izraelite për gjenocid ndaj palestinezëve në Gaza, duke u bërë institucioni i parë izraelit që përdor këtë term për konfliktin e përgjakshëm që vijon prej tetorit 2023.
Në një raport 79-faqësh të publikuar të hënën, B’Tselem thotë se ka arritur në këtë përfundim pas një “analize të politikës së Izraelit në Gaza dhe pasojave të saj shkatërruese”, duke përfshirë deklaratat e udhëheqësve politikë dhe ushtarakë izraelitë për qëllimet e operacionit.
Sipas raportit, ofensiva izraelite ka përfshirë vrasje masive, shkatërrim të infrastrukturës jetike, dëbime të detyruara, arrestime në masë dhe shpërdorim të të burgosurve, duke krijuar kushte katastrofike jetese për popullsinë civile. Grupi thekson se këto veprime nuk mund të justifikohen si përpjekje për çmontimin e Hamasit.
B’Tselem shpreh gjithashtu kritika ndaj komunitetit ndërkombëtar, veçanërisht vendeve si SHBA, Britania dhe vendet kryesore europiane, për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Izraelit, përfshirë dërgesat me armë dhe retorikën politike që e justifikon luftën si vetëmbrojtje. “Shumë liderë botërorë kanë ndihmuar në vijimin e gjenocidit, duke vepruar ose në mënyrë të heshtur, ose duke e mbështetur aktivisht atë,” thuhet në raport.
Raporti publikohet në një moment kur kriza humanitare në Gaza ka arritur përmasa ekstreme, me imazhe të fëmijëve që vdesin nga uria dhe spitale jashtë funksionit për shkak të mungesës së karburantit dhe ndihmës.
Sipas Kombeve të Bashkuara, veprimet izraelite në Gaza përputhen me “tiparet e një gjenocidi”, ndërsa organizata si Human Rights Watch dhe Amnesty International kanë akuzuar më herët Izraelin për akte që përbëjnë gjenocid. Për më tepër, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka pranuar një padi nga Afrika e Jugut në dhjetor 2023, të cilës i është bashkuar edhe Irlanda, duke e cilësuar situatën si “rrezik të besueshëm për gjenocid”.
Në vetë Izraelin, disa zëra akademikë si historiani Lee Mordechai dhe eksperti i gjenocidit Omer Bartov kanë deklaruar se veprimet ushtarake në Gaza përmbushin kriteret e pastrimit etnik dhe se qëllimi i mundshëm i fushatës është “zhdukja demografike” e territorit palestinez.