FLASH :

Braçe vazhdon spiunon bizneset si skuth, zbulon pemën e betonizuar

Deputeti socialist Erion Braçe ka zgjedhur që në kulmin e verës, në vend që të pushojë apo të punojë për të sjellë ligje të reja në Kuvend, të merret me “denoncime terreni” duke filmuar e raportuar bizneset e kryeqytetit. Në një video të fundit të publikuar prej tij, Braçe shfaqet duke investiguar një trotuar në Tiranë, ku sipas tij një pemë është “mbytur” në beton.

Ai e quan këtë veprim një krim mjedisor dhe akuzon bizneset për shkelje të hapësirës publike, ndërsa qytetarët në rrjetet sociale e kanë kritikuar për sjellje “fuksi” dhe për keqmenaxhim të rolit të tij si deputet. “Në vend që të punojë për të reformuar ligjet që e lejojnë betonin të zërë pemët, Braçe shëtit me kamera në dorë si kontrollor ndërtimesh”, thonë komentuesit online.

Kjo nuk është hera e parë që Braçe denoncon biznese apo ndërtime në këtë formë, duke ngjallur debate nëse këto “aksione” janë realisht në shërbim të qytetarëve apo një teatër populist për të fituar vëmendje gjatë verës. Ironikisht, ndërkohë që Braçe merret me një pemë e një trotuar, qindra hektarë pyje në Shqipëri po digjen nga zjarret dhe mungesa e ndërhyrjes shtetërore.

Në rrjetet sociale e kanë quajtur “deputeti-inspektor” dhe i kërkojnë të përdorë pozitën e tij në Kuvend për të ndalur vërtet betonizimin, jo për të bërë video nga skutat e qytetit.