Zjarret masive kanë vënë nën alarm të kuq Greqinë, ku rajonet e Atikës, Evias, Kythirës dhe Mesinisë po përballen me përhapje të shpejtë të flakëve për shkak të erërave të forta dhe temperaturave ekstreme. Autoritetet kanë urdhëruar evakuimin e mijëra banorëve nga dhjetëra vendbanime, ndërsa pamjet dramatike tregojnë qytete të mbuluara nga tymi dhe vatra të fuqishme zjarri që përparojnë me shpejtësi.
Në ndihmë janë thirrur forcat e Mekanizmit Europian të Mbrojtjes Civile, përfshirë mjete ajrore dhe trupa shtesë. Raportohen dëme të mëdha materiale, me shtëpi të djegura dhe disa persona të plagosur nga asfiksimi. Zjarrfikësit po ndërhyjnë edhe në spitalet e rrezikuara dhe po largojnë bombolat e gazit nga banesat për të shmangur shpërthime fatale. Situata vlerësohet kritike në gjithë zonat e prekura.