Ky është momenti tronditës kur një drejtues i një biçiklete përplasi një grua 70-vjeçare në një nga rrugët më të frekuentuara të Wigan-it, në Britani, dhe tentoi të arratisej duke lënë viktimën të shtrirë në rrugë. Por dëshmitarët e ngjarjes e ndoqën dhe e ndaluan në vendngjarje, ndërsa videoja e kapur nga kalimtarët tregon ish-futbollistin Kian Monks, 22 vjeç, të gjakosur dhe të përulur, teksa mohon se ishte ai drejtuesi. Viktima, Margaret Scaldwell, një gjyshe 70-vjeçare, u hodh disa metra në ajër nga përplasja dhe pësoi dëmtime katastrofike: shtyllë kurrizore të thyer, legen, krahë dhe 19 brinjë. Ajo kaloi javë të tëra në koma dhe sot është e paaftë të ecë, të ushqehet apo të kujdeset për veten.



Monks u shpall fajtor për drejtim të rrezikshëm, shkaktim dëmtimi të rëndë trupor, drejtim pa patentë dhe pa siguracion, si dhe për mosndalim në vendin e ngjarjes. Ai u dënua me 2 vite e 3 muaj burg dhe iu hoq e drejta për të drejtuar automjet për 4 vjet. Bashkudhëtari i tij Joel Pilling, pronari i motoçikletës elektrike “Talaria Sting” me shpejtësi deri në 47 mph, u dënua me 22 muaj burg me kusht dhe 250 orë punë vullnetare. Policia e Greater Manchester e cilësoi ngjarjen “të tmerrshme” dhe theksoi rrezikun në rritje të përdorimit të e-bike-ve të modifikuara në rrugë publike. Familja e viktimës ka nisur një padi civile për kompensim financiar, ndërsa vetë Scaldwell tha pas dënimit: “Këta burra egoistë më kanë shkatërruar jetën. Këto nuk janë lodra, por mjete të fuqishme që kërkojnë përgjegjësi”.

