FLASH :

Milani rrit ofertën për Ardon Jasharin, shqiptari rezervon fluturimin drejt Milanos

Mesfushori shqiptar i kombëtares zvicerane, Ardon Jashari është shumë pranë një transferimi te Milani dhe në mënyrë ironike, ky zhvillim është përshpejtuar falë… Interit. Lëvizja e Aleksandar Stankoviç drejt Club Brugge ka liruar hapësirën e nevojshme që 22-vjeçari me origjinë shqiptare të përmbyllë kalimin e tij në “San Siro”.

Sipas mediave italiane, Jashari po pret vetëm konfirmimin përfundimtar nga klubi belg, pasi marrëveshja me Milanin tashmë është në fazat e fundit. Prej javësh lojtari ka qenë jashtë planeve të Club Brugge, është stërvitur veçmas skuadrës dhe nuk ka marrë pjesë në eventet zyrtare të përgatitjeve për sezonin e ri, një sinjal i qartë se largimi është vetëm çështje kohe.

Çmimi i kartonit të Jasharit është rënë dakord të jetë 35 milionë euro, plus 5 milionë të tjera në formë bonusesh të lidhura me performancën. Më herët Milani kishte shkuar deri në 36 mln euro, por së fundmi sipas medieve në Itali e ka çuar ofertën në 40 mln euro, aq sa donin belgët. Marrëveshja, që filloi mbi një muaj më parë dhe kaloi disa pengesa, duket se po shkon drejt një finalizimi të suksesshëm. Milani është më optimist se kurrë për ta mbyllur operacionin brenda pak ditësh, konkretisht deri të hënën dhe Jashari duket se po bën gati valixhet për një fluturim charter drejt Milanos.

Ardon Jashari ka qenë i vendosur për të veshur fanellën kuqezi, duke refuzuar oferta konkrete nga klube gjermane dhe angleze. I lindur në vitin 2002, mesfushori ka rënë dakord të pranojë një pagë jo shumë të fryrë për sezonin e parë, në vlerën 2.5 milionë euro, vetëm që të realizojë ëndrrën për të luajtur te Milani, klub që ka qenë tifoz që në fëmijëri.

Kthesa vendimtare erdhi me largimin e Stankoviç nga Interi drejt Belgjikës, duke hapur kështu dritën jeshile për afrimin e Jasharit në “Milanello”. Prezantimi i tij pritet të ndodhë brenda javës së ardhshme.