FLASH :

Video/Gazetari Hoxha: Rama vuri në duart e organizatave kriminale lojërat e fatit

Gazetari Artan Hoxha ka reaguar me tone të forta lidhur me përfshirjen e emrit të Lendi Palajt në industrinë e lojërave të fatit në Shqipëri, duke e cilësuar atë një figurë pa peshë reale në këtë sektor.

“Sado të thuhet se Palaj ka qarkulluar miliona, ai nuk është pjesë e asnjë grupi të fuqishëm. Nuk është as grupi X, as grupi Y. E dimë shumë mirë kush i ka lojërat e fatit në këtë vend, dhe me kë bashkëpunojnë ata. E dimë kush është ministri, deputeti, drejtori i qarkut. Kjo industri nuk kontrollohet nga njerëz të rastësishëm,” u shpreh Hoxha.

Sipas tij, Palaj është thjesht një emër që zëvendësohet lehtësisht dhe nuk ka fuqi vendimmarrëse: “Palaj është thjesht një hallkë, një emër që e lëviz kushdo kur i duhet sot njëri, nesër tjetri. Kaq është roli i tij.”

Gazetari kujtoi gjithashtu se përpara mbylljes së kësaj industrie në vitin 2018, kompanitë e lojërave të fatit paguanin mesatarisht 60 milionë euro në vit në formë taksash. “Po për 6 vjet? 6×6 bëjnë 36, bëjnë 360 milionë euro, që kryeministri i këtij vendi, ja dha truri një ditë të bukur dhe tha ‘unë do t’i mbyll!’”

Hoxha theksoi se vendimi për t’ia mbyllur këtë industri sektorit të rregulluar dhe për t’ia lënë në dorë botës së krimit, ka sjellë pasoja të rënda. “Dhe bota e krimit nuk punon vetëm këtë industri – e ndan me administratorin, e ndan me strukturat e shtetit.”

Sipas tij, këto struktura kanë financuar edhe fushata elektorale jashtë vendit, pa qenë nën vëzhgimin e organeve ligjzbatuese si SPAK. “Ka qenë një nga sponsorat kryesore në fushatën elektorale, ishte shumë e kushtueshme, sepse u bë jashtë territorit shqiptar ku nuk shtrihej syri i SPAK. Dhe me çfarë parash u bënë ato?!”

Në përfundim, Hoxha theksoi se emri i Palajt nuk duhet të përdoret si alibi për të minimizuar problemin real: “Nëse themi se ka dorë Palaj, do dukeshim qesharakë… është një problem që nuk duhet ta minimizojmë, ky është thjesht një precedent që dhe strukturat kanë punuar në atë formë. Me ato që dimë dhe mënyra se si funksionon kjo industri, nuk përbën asgjë dhe është askushi.”