Një sasi prej 300 gramësh kokainë është zbuluar nga karabinierët italianë në bagazhin e një makine që ishte parkuar për më shumë se një muaj në një servis të palicencuar në Coriano, duke çuar në arrestimin e dy të rinjve – një shqiptar 24-vjeçar dhe kushëriri i tij italian, 23 vjeç.
Mjeti ishte në pronësi të motrës së shqiptarit dhe ndodhej në një ambient që përdorej ilegalisht si ofiçinë. Të ndaluarit mohuan autorësinë e drogës dhe deklaruan se nuk kishin dijeni për ekzistencën e saj. Gjyqtari i çështjes e njohu arrestimin si të ligjshëm, por zbuti masën duke u caktuar detyrimin për paraqitje pesë herë në javë në polici. Gjatë kontrollit në banesën e shqiptarit u gjetën edhe 3.5 gramë marijuanë për përdorim personal. Gjyqi do të rifillojë në fund të shtatorit, ndërsa vijojnë hetimet për origjinën e drogës dhe ndërlidhjet e mundshme.