FLASH :

Prokuroria sekuestron pasuritë e ish-ambasadorit të Shqipërisë në Katar

Prokuroria e Tiranës ka vendosur sekuestrimin e disa pasurive të paluajtshme dhe luajtshme në pronësi të ish-ambasadorit të Shqipërisë në Doha, Edmond Çaça, si dhe të bashkëshortes së tij B.C., pas një hetimi të thelluar mbi dyshime për deklarim të rremë dhe pastrim parash.

Hetimet kanë nisur në vitin 2019, pasi Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave (ILDKPKI) referoi në Prokurori materiale që ngrinin dyshime për shkelje ligjore në deklarimet e pasurisë së zotit Çaça gjatë kohës që ka ushtruar funksione publike, konkretisht në periudhën 2014–2017.

Sipas hetimeve, Edmond Çaça akuzohet për veprën penale të “Refuzimit për deklarimin, mosdeklarimit, fshehjes ose deklarimit të rremë të pasurive dhe interesave privatë”, si dhe për “Pastrimin e produkteve të veprës penale ose të veprimtarisë kriminale”. Bazuar në këto dyshime, Prokuroria ka regjistruar procedimin pasuror nr. 07/R të vitit 2025 dhe i është drejtuar Gjykatës për vendosjen e masës së sekuestros parandaluese.

Me vendimin nr. 6047 akti, datë 24.07.2025, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka miratuar kërkesën e Prokurorisë dhe ka urdhëruar sekuestrimin e pasurive në pronësi të Çaçës dhe bashkëshortes së tij, përfshirë:

Truall me sipërfaqe 8.250 m², në zonën kadastrale 8330, i ndarë në pasuritë nr. 2/285, 2/286 dhe 2/371 – me pjesë takuese të bashkëshortes B.C. prej 10/33Apartament me sipërfaqe 65.5 m², në ZK 3292, në pronësi të Edmond Çaçës

Tre pasuri të tipit “pyll” me sipërfaqe respektive 500 m², 300 m² dhe 10.000 m² – kjo e fundit e regjistruar në emër të përbashkët Çaça–B.C., bazuar në një kontratë shitje me rezervë

Një apartament tjetër në zonën kadastrale 2364, me sipërfaqe 52.63 m²

Llogari bankare në emër të B.C. në “Credins Bank”, me një gjendje prej 90.093,76 euro.

Sipas autoriteteve, pasuritë e vëna nën sekuestro janë objekt verifikimi për të përcaktuar nëse përputhen me të ardhurat e ligjshme të deklaruara nga zoti Çaça dhe bashkëshortja e tij. Sekuestrimi vjen si masë parandaluese në kuadër të ligjit “Për masat ndaj pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme”.

Hetimet ndaj çiftit pritet të vijojnë për të përcaktuar burimin e pasurive dhe nëse ato rrjedhin nga veprimtari kriminale apo deklarime të rreme të pasurisë.