Dikur e quajtur “perla e bregdetit shqiptar” dhe simbol i turizmit të qetë dhe elitar, Saranda këtë verë duket se ka humbur gjithçka që përfaqësonte. Në vend të pushimeve nën diell dhe det të pastër, qyteti i Jugut është kthyer në një arenë përplasjeje, ku plumbat fishkëllejnë nga të gjitha anët dhe shpërthimet me tritol janë bërë pjesë e realitetit të përditshëm.
Vetëm gjatë katër ditëve të fundit, Saranda ka përjetuar dy ngjarje me armë zjarri dhe një shpërthim tritoli – një bilanc alarmant për çdo qytet, por veçanërisht për një destinacion që jeton nga turizmi. Nga dhuna në lokale e deri te rrahjet për çadra dhe territor në Ksmail apo më gjerë, tabloja e kësaj vere është ajo e një Shqipërie të pasigurt dhe pa kontroll.
Pasiguria nuk është vetëm perceptim – është një realitet që shihet e ndjehet nga të gjithë. Rastet e fundit në Sarandë janë vetëm një pjesë e mozaikut të dhunës që po shfaqet gjatë gjithë sezonit turistik në vend. Përplasjet fizike në zonat turistike, larjet e hesapeve, përplasjet për trafiqe të paligjshme dhe dhuna në qendrat e natës po i japin Shqipërisë një imazh gjithnjë e më larg asaj që qeveria përpiqet të promovojë në rrjetet sociale.
Një pjesë e madhe e fajit, sipas shumë qytetarëve dhe vëzhguesve, bie mbi një polici të paralizuar dhe të politizuar. Rasti i fundit në Green Coast, ku dy persona dhunuan njëri-tjetrin publikisht në një lokal të mbushur me pushues dhe më pas u lanë të lirë pa asnjë masë, është shembulli më i qartë i dështimit institucional. Pamjet që qarkulluan në rrjet dhe komentet e qytetarëve shfaqin jo vetëm tronditjen, por ndjesinë se policia po braktis qytetarët dhe po toleron kriminelët.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ilir Proda, ndodhet në qendër të kritikave për mosveprim, për fokus të shtrembëruar drejt gjobitjes së bizneseve dhe për favorizim të grupeve të caktuara, duke lënë pas dore detyrën themelore të institucionit: garantimin e rendit dhe sigurisë.
Në këtë atmosferë, është e qartë se turizmi nuk mund të zhvillohet mbi themelet e pasigurisë. Asnjë promovim në rrjetet sociale nga kryeministri Edi Rama, asnjë rotacion ministrash apo drejtorësh bashkiakë nuk mund të zëvendësojë nevojën themelore për siguri. Dhe siç thotë një shprehje popullore: kur diçka mban erë, qelbja vjen nga koka. Sot, ajo që mban erë në Shqipëri është siguria – e cila në vend të mbrohet, po braktiset. Në një vend ku pas 30 vitesh shteti ende nuk garanton rend publik, armët e kriminelëve janë më të zhurmshme se çdo slogan turistik.