FLASH :

Aksident në Dhërmi, shoferi i dehur përplas makinën, humb jetën i mituri

Një aksident i rëndë ka ndodhur mbrëmjen e 24 korrikut 2025, rreth orës 23:10, në aksin Palasë–Dhërmi, ku si pasojë ka humbur jetën një fëmijë 9-vjeçar dhe është plagosur një 20-vjeçar.

Sipas njoftimit zyrtar nga DVP Vlorë, drejtuesi i automjetit, shtetasi M. K., 36 vjeç, banues në Librazhd, dyshohet se drejtonte mjetin në gjendje të dehur kur humbi kontrollin dhe u përplas me bordurën anësore të rrugës.

Ai është arrestuar në flagrancë nga Specialistët e Seksionit të Trafikut Urban dhe Interurban për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”. I plagosuri tjetër ndodhet aktualisht në Spitalin e Traumës, nën kujdesin e mjekëve.

Njoftimi i policisë:

Specialistët e Seksionit të Trafikut Urban dhe Interurban në DVP Vlorë arrestuan në flagrancë, për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”, shtetasin M. K., 36 vjeç, banues në Librazhd, pasi më datë 24.07.2025, rreth orës 23:10, në aksin rrugor Palasë–Dhërmi, duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e mjetit dhe është përplasur me bordurën anësore të rrugës.

Si pasojë e aksidentit, ka humbur jetën në vendngjarje njëri prej pasagjerëve, një i mitur 9 vjeç.

Gjithashtu, është dëmtuar pasagjeri tjetër, shtetasi E. A., 20 vjeç, i cili ndodhet në Spitalin e Traumës, nën kujdesin e mjekëve.