FLASH :

Video/10 zjarrfikës humbin jetën mes flakëve të papërmbajtshme, ministri turk paralajmëron për ditë edhe më të rënda

Të paktën 10 zjarrfikës dhe punonjës shpëtimi humbën jetën të mërkurën në Turqi gjatë përpjekjeve për të shuar një zjarr masiv në një pyll të Eskishehirit, në verilindje të vendit. Ministri i Pylltarisë, Ibrahim Yumakli, njoftoi se pesë punonjës të shërbimit pyjor dhe pesë anëtarë të organizatës së shpëtimit AKUT u rrethuan dhe u dogjën për vdekje pasi era ndryshoi drejtim në mënyrë të papritur, duke përhapur flakët me shpejtësi të frikshme.

Të paktën 14 të tjerë janë plagosur dhe po marrin trajtim mjekësor. Kjo tragjedi e çon në 13 numrin e viktimave nga zjarret në Turqi këtë vit, ndërsa vendi po përballet me temperatura ekstreme dhe erëra të fuqishme. Presidenti Erdogan i shprehu ngushëllimet familjeve, duke nderuar ata që, sipas tij, dhanë jetën për të mbrojtur pyjet e vendit. Aktualisht, zjarrfikësit po luftojnë me shtatë vatra aktive zjarri, ndërsa autoritetet paralajmërojnë se e enjtja do të sjellë kushte edhe më të rënda atmosferike.