Një krim tronditës në familje është zbuluar nga Policia e Fierit, e cila ka vënë në pranga një 26-vjeçare që vrau të atin me mbytje duke përdorur tel, ndërsa tentoi ta paraqiste ngjarjen si aksidentale. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e 23 korrikut në fshatin Frashër, ku vajza, identifikuar si E. R., telefonoi policinë duke deklaruar se babai i saj, 56-vjeçari A. R., kishte humbur jetën në rrethana aksidentale në banesë.
Hetimet e shpejta të policisë zbuluan se vdekja kishte qenë e dhunshme dhe jo aksidentale. E reja ka pranuar para hetuesve se e kishte mbytur të atin për shkak të presionit dhe kontrollit të vazhdueshëm që ai ushtronte mbi të. Sipas burimeve policore, ajo ka deklaruar se i ati e ndalonte të vishej në mënyrë bashkëkohore apo të dilte për t’u argëtuar, duke e mbajtur nën një regjim fanatik.
Në pranga pritet të përfundojë edhe nëna e saj, 53-vjeçarja V. R., e cila dyshohet se ka ndihmuar në pastrimin e trupit të viktimës për të inskenuar ngjarjen si aksidentale. Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motivit të ngjarjes.
Njoftimi i Policisë Fier:
Drejtoria Vendore e Policisë Fier/Si rezultat i hetimeve të shpejta dhe profesionale, zbardhet dinamika dhe autorësia e një krimi në familje.
Vrau babanë e saj, nëpërmjet strangulimit (mbytje me tel), dhe e kallëzoi në polici, rreth mesnatës, si ngjarje aksidentale, arrestohet 26-vjeçarja.
Shoqërohet nëna e saj, pasi dyshohet se ka bashkëpunuar për pastrimin e trupit të 56-vjeçarit të vrarë, me qëllim inskenimin e ngjarjes si aksidentale.
Si rezultat i hetimeve profesionale dhe të shpejta, të kryera nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Rënda të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, në bashkëpunim me Prokurorinë e Fierit, pas kallëzimit të shtetases E. R., 26 vjeçe, rreth orës 23:00 të datës 23.07.2025, se babai i saj, shtetasi A. R., 56 vjeç, kishte humbur jetën aksidentalisht, në banesën e tyre, në fshatin Frashër, u finalizua operacioni “Inskenimi”.
Shërbimet e Policisë, gjatë deponimit të 26-vjeçares dhe gjatë veprimeve të para hetimore, kanë krijuar dyshim se humbja e jetës së 56-vjeçarit nuk ishte aksidentale dhe për këtë arsye kanë vijuar hetimet e thelluara.
Gjatë këtyre veprimeve të kryera në koordinim me Prokurorinë e Fierit, ka rezultuar se shtetasja E. R. ka vrarë babanë e saj, shtetasin A. R., për motive të dobëta, me mjet strangulues (mbytur me tel).
Më pas, 26-vjeçarja, dyshohet se në bashkëpunim me nënën e saj, njëkohësisht bashkëshorte e shtetasit A. R., shtetasen V. R., 53 vjeçe, kanë tentuar të pengojnë zbulimin e së vërtetës, duke pastruar trupin e 56-vjeçarit. Pas këtyre veprimeve, shtetasja E. R. ka njoftuar Policinë.
53-vjeçarja është aktualisht e shoqëruar në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, ku po kryhen veprime të thelluara hetimore për të përcatuar shkallën e përgjegjësisë së saj në lidhje me këtë rast. Në përfundim të veprimeve hetimore do të ketë njoftim shtesë për përgjegjësinë penale të kësaj shtetaseje.
Gjithashtu, vijojnë hetimet, në drejtimin e Prokurorisë, me qëllim dokumentimin me prova ligjore të të gjitha rrethanave të këtij rasti.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme.