FLASH :

Video/Pushuesit nisin vrapin e turpit për shezlongët sapo hapet dera e pishinës

Një video që po qarkullon me shpejtësi në rrjetet sociale ka tronditur rrjetin, duke treguar pushues të rritur që vrapojnë me të gjitha forcat për të zënë shezlongët pranë pishinës në një hotel me katër yje për të rritur në Mallorca. Pamjet, të krahasuara me skena nga “Hunger Games”, janë filmuar nga pushuesja britanike Clare Wright, e cila nuk i besonte syve kur pa rreth 50 turistë që shpërthyen në sprint sapo u hoq zinxhiri i hyrjes në zonën e pishinës në orën 8:30 të mëngjesit.

Ironikisht, hoteli i kishte paralajmëruar më herët pushuesit që të mos rezervonin vendet me peshqirë dhe të mos vraponin, por askush nuk e mori parasysh këtë mesazh. Sipas Clare, kishte më shumë se mjaft shezlongë për të gjithë, duke e quajtur vrapimin një “garë pa kuptim”.

Ndërkohë, një tjetër nënë britanike nga Uellsi, Stephanie, ka shkaktuar debat pasi rrëfeu në TikTok se zgjohet çdo ditë në agim për të rezervuar tetë shezlongë për familjen e saj me gjashtë fëmijë, e më pas shkon për mëngjes dhe blerje, duke lënë peshqirët mbi shezlongë për orë të tëra. Kjo ka shkaktuar zemërim në rrjet, ku komentuesit kërkojnë që të gjitha hotelet të heqin peshqirët pas 30 minutash nëse shezlongu mbetet bosh.

Në kulmin e sezonit veror, “lufta për shezlongët” është kthyer në një fenomen të përhapur dhe aspak i denjë për pushime relaksuese.