FLASH :

“Monstra e Idaho-s” dënohet me burgim të përjetshëm: Familjet shkatërrojnë Bryan Kohberger me fjalë rrëqethëse

Bryan Kohberger, studenti i kriminologjisë që vrau katër të rinj në një masakër që tronditi Amerikën, është dënuar sot me katër burgime të përjetshme pa të drejtë apelimi, plus 10 vite burg shtesë për vjedhje me thyerje. Dënimi u dha pas një seance emocionale 3-orëshe në gjykatën e Ada County, ku familjarët dhe miqtë e viktimave e përballën atë me dhimbjen, zemërimin dhe përbuzjen e tyre.

Kohberger, i veshur me tuta portokalli të burgut, qëndroi i ftohtë dhe i pandjeshëm përgjatë gjithë dëshmive rrëqethëse, pa shfaqur asnjë shenjë pendese apo reflektimi — as kur babai i Kaylee Goncalves, Steve, e drejtoi podiumin drejt tij dhe i tha:
“Zgjodhe shtetin e gabuar, familjet e gabuara, komunitetin e gabuar. Na ndave, por dështove. Ti nuk je askush. Në kohë, do jesh thjesht iniciale mbi një varr të pashënuar.”

Motra e Kaylee-t, Alivea, ishte edhe më e ashpër:
“Je sociopat, psikopat, vrasës. Po të mos i kishe sulmuar në gjumë si një pedofil, Kaylee do të të kishte dhënë një mësim që s’do e harroje kurrë.”

Me gjuhë të sarkastike, ajo përdori pyetjet që vetë Kohberger kishte hartuar dikur për një studim akademik mbi mendësinë e kriminelëve, për ta zhveshur nga çdo iluzion madhështie:
“Si ndiheshe kur e zgjodhe motrën time? Çfarë mendoje para se të lije shtëpinë? Dhe çfarë ishte arma e dytë që përdore mbi Kaylee?”

Përveç motrave e prindërve të viktimave, dëshmi të forta dhanë edhe shoqet e tyre të shtëpisë që mbijetuan sulmin – Bethany Funke dhe Dylan Mortensen – kjo e fundit aq e traumatizuar sa nuk mundi të ngrihej në këmbë.
“Trupi im ende nuk e ka kuptuar se është mbaruar. Sulmet e panikut më godasin si tsunami, pa paralajmërim,” tha Dylan mes lotëve.

Edhe nëna e Xana Kernodle, e kthyer në rrugën e besimit pas humbjes, e fali vrasësin në emër të Zotit. Por njerku i saj, Randy Davies, nuk pati të njëjtin qetësim:
“Do doja të isha në pyll me ty, që të të mësoja se çfarë është dhimbja.”

Në fund, gjykatësi Steven Hippler, e cilësoi Kohberger-in si një “frikacak pa fytyrë” që “u fut tinëzisht në shtëpinë e 1122 King Road dhe kreu një kasaphanë pa kuptim mbi katër njerëz të pafajshëm.” Ai refuzoi t’i jepte ndonjë lloj platforme, duke thënë:
“Edhe në momentin e fundit nuk tregoi as pendesë, as keqardhje. Prandaj, nuk do flas më për të. Vetëm do e heq përgjithmonë nga shoqëria.”

Bryan Kohberger do kalojë pjesën tjetër të jetës së tij në izolim total — një emër i harruar, në një qeli pa kthim.