FLASH :

Sekuestrohet vila dhe pishina në Durrës, falsifikatorëve të pasaportave të dyshuar edhe për vrasje

Gjykata e Posaçme e Apelit ka lënë në fuqi vendimin për konfiskimin e pasurive të Luan Kërtallit në Durrës, përfshirë një shtëpi njëkatëshe me pishinë dhe 1050 m² truall. Sipas autoriteteve, këto prona janë përfituar nga aktivitetet kriminale të dy djemve të tij, Morel dhe Enkel Kërtalli, të dyshuar për falsifikim dokumentesh dhe përfshirje në një atentat të mbetur në tentativë ndaj biznesmenit Dashamir Gjoka në vitin 2017.

Dy vëllezërit janë hetuar më herët për disa vepra penale, përfshirë “Vrasje e mbetur në tentativë në bashkëpunim” dhe “Mbajtje pa leje të armëve”. Pasuritë janë dorëzuar tashmë Agjencisë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, ndërsa hetimet ndaj aktivitetit të familjes Kërtalli vijojnë.

Njoftimi i policise:

Durrës

Sekuestrohen pasuri të dyshuara të përfituara nga veprimtaritë kriminale.

Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Financiare në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës bëri ekzekutimin e vendimit penal të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, Tiranë, lënë në fuqi nga Gjykata e Apelit, për konfiskimin e pasurisë në përdorim të shtetasit Luan Kertalli.

Këtij shtetasi iu sekuestruan 1050 m2 truall, si dhe një objekt njëkatësh me oborr dhe pishinë. Pasuria iu dorëzua Agjencisë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, në prezencë të familjarëve të shtetasit Luan Kertalli.

Nga hetimet e deritanishme rezulton se shtetasi Luan Kertalli. i ka përfituar këto pasuri nga veprimtaria kriminale e 2 djemve të tij, të cilat janë të dyshuar për veprat penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave” dhe “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”.

2 vëllezërit janë hetuar në kuadër të një procedimi penal të vitit 2017, të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vrasja”, në rrethana të cilësuara, kryer në bashkëpunim, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.