Një 20-vjeçar shqiptar është arrestuar nga karabinierët në Terni, Itali, pasi u kap në flagrancë duke plaçkitur shkollën fillore “Cianferini” në rrugën “Narni”. I riu, i cili rezulton me precedentë penalë, kishte prerë gardhin dhe kishte shkëputur 12 kg tubacione bakri nga sistemi i kanalizimeve, me qëllim shitjen për skrap.
Pas sinjalizimit të Qendrës së Operacioneve, karabinierët ndërhynë menjëherë dhe e kapën të riun pas një ndjekjeje me biçikletë dhe më pas në këmbë në zonën e Campomaggio. Me vete mbante një çantë me mjetet e përdorura për vjedhje, si pinca dhe çelësa. Gjykata e Ternit vendosi ndaj tij masën e arrestit shtëpiak, ndërsa procesi do të vijojë me gjykim të shkurtuar. Materialet e vjedhura iu kthyen shkollës.