FLASH :

Rama merr për vete të gjitha lejet në bregdet – Bashkitë lejohen të japin ndërtim vetëm deri në 6 kate

Qeveria shqiptare ka miratuar një Vendim të ri të Këshillit të Ministrave (VKM) që kufizon ndjeshëm kompetencat e bashkive në dhënien e lejeve të ndërtimit, veçanërisht në zonat bregdetare dhe për objektet mbi 6 kate. Sipas vendimit të publikuar, vetëm Këshilli Kombëtar i Territorit – që drejtohet nga kryeministri Edi Rama – do të ketë të drejtën për të miratuar leje ndërtimi për çdo objekt që ndodhet brenda brezit bregdetar, pavarësisht llojit të ndërtimit, si dhe për të gjitha objektet mbi 6 kate që shtrihen jashtë kësaj zone.

Ky ndryshim i rëndësishëm vjen si pjesë e një VKM-je më të gjerë për zhvillimin e territorit, ku është vendosur që njësitë vendore të kufizohen vetëm në miratimin e lejeve për ndërtime me lartësi deri në 6 kate dhe vetëm brenda kufijve të qyteteve. Me këtë vendim, qeveria centralizon kontrollin e zhvillimeve urbanistike në zonat më të ndjeshme dhe me potencial ekonomik si bregdeti, duke lënë jashtë procesit vendimmarrës bashkitë dhe këshillat bashkiakë. Ndërkohë, VKM-ja përfshin edhe ndryshime që lidhen me rregullimin dhe menaxhimin e hapësirave publike.