Përplasjet shpërthyen pranë tempullit Ta Moan Thom në kufirin lindor, rreth 360 kilometra nga Bangkoku. Të paktën dy civilë kanë humbur jetën, ndërsa mbi 40,000 banorë janë evakuuar nga 86 fshatra në provincën kufitare Surin.
Tensionet mes Tajlandës dhe Kamboxhias për një zonë të diskutueshme kufitare janë përshkallëzuar në përplasje të armatosura, ku për herë të parë u përdorën edhe avionë luftarakë. Një avion F-16 i forcave ajrore tajlandeze ka bombarduar një objektiv ushtarak në territorin kamboxhian, duke shënuar një pikë kulmore në krizën mes dy vendeve.
Zëdhënësi i ushtrisë tajlandeze, Richa Suksuwanon, konfirmoi përdorimin e forcës ajrore ndaj objektivave ushtarake dhe njoftoi mbylljen e kufirit me Kamboxhian. Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes e Kamboxhias dënoi ashpër atë që e quajti “agresion brutal dhe të papërgjegjshëm” ndaj sovranitetit të saj, duke theksuar se dy bomba kishin goditur një rrugë në territorin kamboxhian.
Përplasjet shpërthyen pranë tempullit Ta Moan Thom në kufirin lindor, rreth 360 kilometra nga Bangkoku. Të paktën dy civilë kanë humbur jetën, ndërsa mbi 40,000 banorë janë evakuuar nga 86 fshatra në provincën kufitare Surin. Tajlanda pretendon se Kamboxhia përdori një dron për zbulim dhe më pas nisi ofensivën me armë të rënda. Kamboxhia, nga ana tjetër, akuzon Tajlandën për një inkursion të paprovokuar dhe thotë se ka vepruar në vetëmbrojtje.
Përplasjet ndodhin në mes të tensioneve që nga maji, kur një ushtar kamboxhian humbi jetën në një shkëmbim zjarri, ndërsa së fundmi Tajlanda akuzoi Kamboxhian për vendosjen e minave tokësore që plagosën tre ushtarë. Phnom Penh mohon kategorikisht këto akuza, duke theksuar se ushtarët tajlandezë kishin hyrë në një zonë të minuar që daton nga lufta civile kamboxhiane.
Kriza ka krijuar pasoja të mëdha diplomatike. Tajlanda ka tërhequr ambasadorin e saj nga Phnom Penh dhe ka shpallur të padëshirueshëm ambasadorin kamboxhian në Bangkok. Ndërkohë, përpjekja e kryeministres tajlandeze Paetongtarn Shinawatra për të zbutur tensionet përmes një telefonate me presidentin e senatit të Kamboxhias, Hun Sen, ka shkaktuar një stuhi politike në Tajlandë, duke çuar në pezullimin e saj nga një gjykatë.