FLASH :

Greta Thunberg në Tiranë: Protestë në Sheshin Skënderbej kundër urisë në Gaza

Aktivistja e njohur suedeze Greta Thunberg ishte dje e pranishme në një protestë të zhvilluar në Sheshin Skënderbej, ku dhjetëra qytetarë, përfaqësues të shoqërisë civile dhe organizata të të drejtave të njeriut u mblodhën për të ngritur zërin në mbështetje të popullit palestinez. Tubimi u zhvillua nën moton “Ndalo urinë, lejo ushqimin, lejo jetën”, si pjesë e një fushate ndërkombëtare kundër kequshqyerjes ekstreme në Rripin e Gazës.

Protesta u organizua nga Lëvizja për të Drejtat e Njeriut dhe Paqen Ndërkombëtare “Solidariteti Albania”, e cila kishte paralajmëruar më herët pjesëmarrjen e Thunberg në këtë ngjarje. Në një video të shpërndarë online, Thunberg shprehu se “Gaza ka hyrë në fazën 5 të kequshqyerjes dhe palestinezët po përdorin pak energji që u ka mbetur për të nxitur botën të ngrihet dhe të zgjedhë një anë. Ne do të ngrihemi së bashku për të kërkuar fundin e pushtimit të paligjshëm, aparteidit dhe gjenocidit të Izraelit”.

Greta Thunberg nuk është e panjohur me çështjen palestineze. Në muajin qershor, ajo dhe disa aktivistë të tjerë u ndaluan nga ushtria izraelite në një mision humanitar me anije drejt Gazës, duke u përpjekur të dërgonin ndihma për civilët në krizë. Pjesëmarrja e saj në protestën e djeshme në Tiranë u përshëndet gjerësisht në rrjetet sociale dhe u pa si një gjest solidariteti ndërkombëtar me viktimat civile të konfliktit në Lindjen e Mesme.