Qyteti bregdetar i Sarandës, një prej destinacioneve më të kërkuara turistike të jugut, është kthyer në një skenë të hapur për krime të rënda dhe përplasje mes grupeve kriminale, që po rrezikojnë jo vetëm rendin publik, por edhe imazhin e turizmit në zonë.
Mesnatën e kaluar, një shpërthim i fuqishëm me tritol tronditi lagjen nr. 3 të qytetit, duke alarmuar banorët dhe turistët që ndodheshin në zonë. Shënjestra e sulmit ishte një automjet në pronësi të Klaus Jaçajt, 31 vjeç, i shpallur në kërkim vetëm katër ditë më parë për përkrahje të autorëve të ngjarjes së përgjakshme të 17 korrikut, ku mbetën të plagosur me armë dy të rinj nga Kamza.
Sipas Policisë, shpërthimi ndodhi rreth orës 23:50 dhe shkaktoi dëme të mëdha materiale, duke shkrumbuar plotësisht automjetin dhe duke dëmtuar edhe banesën e Jaçajt. Dyshohet se ngjarja lidhet me hakmarrje për përfshirjen e tij në konfliktin e armatosur mes grupeve rivale në lagjen nr. 4, ku u qëlluan me armë zjarri Gëzim Hajdaraj dhe Ernest Lama.
Por kjo nuk është e vetmja ngjarje që ka tronditur Sarandën këto ditë. Gjatë gjithë muajit korrik, qyteti është përballur me një valë dhune dhe kriminaliteti të paprecedentë:
- 8 korrik – Arrestohet në Ksamil një shtetas nga Gjilani, Kosovë, i kapur me armë zjarri në automjetin “Range Rover”.
- 11 korrik – Tre të rinj nga Kamza ndalohen në një “Porsche Panamera”, ku njëri prej tyre u hodh në det për t’i shpëtuar arrestimit, me armë në çantë.
- 19 korrik – Pranë një hoteli në Ksamil, pronari i “Euro Hotel”, Albert Pashaj, dhunohet barbarisht nga tre persona me mjete të forta.
- 20 korrik – Ish-efektivi i policisë Adil Veli plagoset në një përplasje me armë në rrugën “Mitat Hoxha”. Autorët janë ende në kërkim.
- 21 korrik – Shpërthimi me tritol ndaj Klaus Jaçajt, i lidhur me përplasjen e 17 korrikut mes vëllezërve Canaj dhe dy të rinjve të plagosur nga Kamza.
Këto ngjarje kanë tronditur jo vetëm komunitetin vendas, por edhe mijëra turistë të huaj e vendas që kanë zgjedhur Sarandën për pushime. Disa prej tyre po largohen të zhgënjyer nga pasiguria.
“Saranda është kthyer në Kabul. Armë, shpërthime, të plagosur. Policia nuk ekziston, vetëm vendos gjoba bizneseve”, – u shpreh një turist për mediat, ndërsa përgatitej të largohej para kohe nga qyteti.
Në krye të Komisariatit të Sarandës ndodhet Gëzim Bashllari, drejtues i cili është kritikuar ashpër për menaxhimin e dobët të situatës dhe fokusin e tepruar tek masat administrative ndaj bizneseve, në vend të parandalimit të ngjarjeve kriminale.
Ironikisht, Saranda është qyteti nga vjen edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, si dhe ish-kreu i Policisë, Ardi Veliu, çka ka ngritur dyshime në publik për një tolerim të strukturave kriminale që mund të kenë lidhje të larta me kupolën drejtuese.
Pas shpërthimit me tritol, Ilir Proda urdhëroi dërgimin e forcave RENEA në qytet, por kjo lëvizje u interpretua më shumë si një “show mediatik”, sesa një operacion i mirëmenduar, pasi deri tani nuk ka ende asnjë arrestim konkret.
Ndërkohë, qytetarët dhe bizneset lokale po humbin besimin tek institucionet. Frika, pasiguria dhe mungesa e kontrollit kanë krijuar një atmosferë alarmante në një qytet që dikur simbolizonte paqen dhe mikpritjen.