Sot, 23 korrik 2025 është një ditë që qeveria shqiptare përpiqet ta paraqesë si fitore historike, ambasadorët e 27 vendeve të Bashkimit Europian pritet të hapin rrugën për grupkapitullin e fundit të negociatave për anëtarësim atë të Bujqësisë dhe Kohezionit . Por realiteti në terren tregon se përparimi është minimal dhe shumë larg fjalëve të mëdha.
Ndërsa panorama mediatike e qeverisë shfaq këtë hap si një “hap vendimtar” në rrugën drejt BE-së, vërtetësia është krejt tjetër. Shqipëria ka ngecur thellë në negociata për Kapitullin 5, pasi nuk ka adresuar asnjë prej problemeve strukturore që e mbajnë mbrapa në Bujqësi dhe Kohezion.
Dobësitë administrative janë barrë e rëndë. Në raportin e Komisionit Europian 2024 theksohet se “Kapacitet administrativ i papërshtatshëm, stafe të pa trajnuar dhe sisteme financiare të pa konsoliduara. Proceset e kontrollit financiar janë të mangëta dhe mungojnë standardet për monitorim të fondeve si IPARD III”. Këto probleme janë thjesht tregues të neglizhencës së përhershme të qeverisë ndaj ndërtimit të institucioneve efektive.
Për fermerët, ngecja në Kapitullin 5 nukështë një çështje teknicienësh, është ajo që vuajnë në kurriz. Nga mbi 10 milionë euro të planifikuara për subvencione, vetëm rreth 4 milionë janë shpërndarë, duke reflektuar mungesë strategjie dhe ekzekutimi të mangët. Pa statistika të sakta dhe me procedura burokratike të komplikuara, përjashtimi i fermerëve prej sistemit është bërë normë, ndërsa fermerët vuajnë, pa mbështetje shtetërore.
Komisioni Europian, në raportin e 15 korrikut 2025, tërheq vëmendjen se “Institucionet përgjegjëse për kohezionin janë nën kapacitet, pa personel të mjaftueshëm dhe pa instrumente digjitale për monitorim”. Kjo evidencon qartë nevojën për reforma urgjente jo për propagandë!
Pakujdesia në përgatitjen për këtë kapitull zbulohet nga fakti se ai është konsideruar “kapitulli i fundit” i negociatave, pa ndonjë veprim praktik që ndryshon jetën e përditshme të qytetarëve . Kjo tregon se qeveria është fokusuar te imazhi jo te reforma reale. Sot, më 23 korrik, është datë simbolike, por në të vërtetë nuk sjell ndryshim në terren. Faji s’është i BE-së, por i qeverisë që nuk ka mbikëqyrur implementimin e reformave kyçe. Ky kapitull nuk do të mbyllet pa tre hapa urgjentë:
- Modernizim administrativ me stafe të trajnuar dhe sisteme financiare të qarta;
- Strategji të qëndrueshme bujqësore me fonde transparente dhe monitorim publik;
- Investime në infrastrukturë rurale për të garantuar kohezion real.
Nëse këto nuk ndodhin, hapja e sotme do të mbetet formalitet mediatik e politik pa ndikim në jetën e shqiptarëve dhe të fermerëve tanë.