FLASH :

‘Mbyllja e hetimeve’/ Ajola Xoxa paraqitet në SPAK, pritet komunikimi i akuzave

Ajola Xoxa është paraqitur në SPAK, ku është njohur me akuzat e ngritura ndaj saj. Kryebashkiaku Veliaj do të njihet gjithashtu sot me akuzat, por do të përfaqësohet nga avokatët e tij.

SPAK ka marrë zyrtarisht të pandehur Ajola Xoxën, ndërsa i komunikoi akuzat për korrupsion, fshehje të pasurisë dhe pastrim parash. Po sot pritet që t’i komunikohen akuzat edhe kryebashkiakut Erion Veliaj. Ai nuk do të paraqitet personalisht në prokurori për t’u njohur me akuzën, por ka firmosur një deklaratë për përfaqësim nga mbrojtësit ligjorë.

Edhe Veliaj është hetuar me te njëjtat akuza si bashkëshortja. Në total, janë 13 persona në dosjen ‘Veliaj’, që pritet t’u komunikohet sot akuza. 

SPAK ka përfunduar hetimet por ka lënë si afat fundor për dërgimin e çështjes për gjykim 24 shtatorin. Xoxa dhe avokati Maks Haxhia kanë marrë materialet dhe në bazë të dispozitave, pasi njohjes me akuzat, do të vendosin se çfarë qëndrimi do të mbajnë, do të japin deklarime apo do të bëjnë memo. Pala mbrojtëse ka kërkuar t’i vënë në dispozicion edhe materialet hetimore, ndërsa nga SPAK u është komunikuar që ato do t’u vihen kundrejt pagesës, por nuk është pranuar nga avokati.

Mësohet se është marrë i pandehur edhe një biznesmen i ri në dosjen ‘Veliajt’. Bizmesmeni Mirton Lika i është komunikuar akuza e “Fshehjes së të ardhurave”, emri i të cilit nuk është përmendur më herët. Një ditë më parë edhe biznesmeni Elman Abule u mor zyrtarisht i pandehur për pastrim parash.

Një ditë më parë, avokatët e Veliajt kritikuan shpërndarjen e informacionit se sot do të jepej akuza për Veliajn, përpara se të informohet vetë i hetuari. Sipas tyre, kjo bëhet për të ndikuar opinionin publik dhe për të ndërtuar një perceptim faji përpara gjykimit. Ata kërkuan hetim për rrjedhjet e informacionit, ndërsa paralajmëruan se Veliaj do të sfidojë çdo akuzë me prova dhe argumente ligjore.

Veliaj ndodhet në qeli prej 10 shkurtit, ndërsa Xoxa nën masën detyrim paraqitje.