Tirana po përjeton një bum ndërtimor të paprecedentë, me çmime që në disa zona kanë arritur tashmë nivelin prej 5.500 euro për metër katror – të njëjtat si në Milano. Në një analizë të fundit mbi zhvillimin urban, mediat italiane rikujtojnë sesi kryeqyteti shqiptar është transformuar në 24 vitet e fundit nga një qytet i thjeshtë ballkanik në një qendër grataçelash moderne.
Ky ndryshim ka ardhur në pjesë të madhe falë ndikimit të Edi Ramës, i cili shërbeu si kryetar bashkie për 11 vite përpara se të bëhej kryeministër. Hetimi me titull “La campagna d’Albania” solli dëshmi mbi investitorë të njohur dhe anonimë që kanë përfituar nga ky zhvillim i shpejtë, duke e kthyer Tiranën në një “model Milano” për nga ritmi dhe formati i ndërtimeve.