INSTAT ka publikuar raportin vjetor “Karakteristikat e Mjeteve Rrugore” për vitin 2024, duke zbuluar se shqiptarët mbeten besnikë ndaj markave gjermane. Volkswagen dhe Mercedes-Benz vijojnë të jenë makinat më të përhapura në vend, me shumicën e mjeteve që përdorin naftë (72.9%).
Në total, në Shqipëri janë regjistruar 959.226 mjete rrugore deri në fund të vitit 2024, një rritje me 10.5% krahasuar me një vit më parë. Autoveturat përbëjnë 80.8% të këtij numri, ndërsa për çdo 1.000 banorë janë regjistruar 328 makina – një rritje krahasuar me 292 në vitin 2023. Durrësi ka numrin më të lartë të autoveturave për banorë (483), duke lënë pas edhe Tiranën. Rritje ka pësuar edhe përdorimi i mjeteve me kambio automatike dhe autoveturat elektrike, që janë dyfishuar krahasuar me një vit më parë.