FLASH :

Foshnja e sapolindur në Tiranë humb jetën, babai denoncon mjekët për neglizhencë

Një ngjarje e rëndë ka tronditur maternitetin “Koço Gliozheni” në Tiranë, ku një foshnjë e porsalindur ka humbur jetën mes dyshimeve të forta për neglizhencë mjekësore. Babai i vogëlushes ka bërë kallëzim penal ndaj stafit të spitalit, ndërsa rasti është shoqëruar me reagimin e fortë publik të gazetarit Osman Stafa, mik i afërt i familjes.

Sipas dëshmisë së publikuar nga Stafa, nëna e foshnjës ishte në javën e 40-të të shtatzënisë dhe kishte raportuar mungesë lëvizjesh të bebit, por pas një kontrolli sipërfaqësor me CTG, mjeku i turnit, Kastriot Dallaku, e dërgoi në shtëpi. Të nesërmen, nën temperaturë të lartë, nëna u rikthye në maternitet dhe iu nënshtrua një lindjeje urgjente me operacion nga Dr. Anika Dokle, por ishte tepër vonë. Foshnja ndërroi jetë dy ditë më vonë për shkak të insuficiencës multiorganore.

Familja ka kryer kallëzim penal, autopsi dhe tashmë kërkon drejtësi për humbjen që konsiderohet “e shmangshme”. Rasti ka ngritur shqetësim të madh mbi protokollet mjekësore në maternitetet publike dhe mungesën e reagimit në kohë për rastet emergjente gjatë shtatzënisë.