FLASH :

Dukati nën pushtetin e flakëve, rrezikohen banesa dhe parku i Llogarasë! 3 avionë nga Italia dhe Greqia në Vlorë e Dibër.

Vlora dhe Dibra ndodhen në një situatë të vështirë nga zjarret. Nga mali i Dukatit, zjarri i është afruar parkut të Llogarasë dhe banesave, ndërsa Liqeni i Luleve pranë parkut të Lurës vijon në flakë. BE aktivizon mekanizmin e mbrojtjes, 3 avionë grekë e italianë në terren.

Flakët e zjarrit në malin Dukat të Vlorës janë përhapur, duke rrezikuar disa banesa dhe Parkun Kombëtar të Llogarasë. Zjarri ka qenë aktiv prej ditësh, ndërsa terreni e ka bërë të vështirë ndërhyrjen. Mëngjesin e sotëm, shkuan në zonë për të shuar flakët dy avionët e mbërritur nga Greqia. Në aksion është edhe helikopteri i ushtrisë, por flakët kanë nisur të përhapen për shkak të favorizimit edhe nga era.

Report Tv me gazetarin Armand Xhelili po ndjekin nga afër situatën, ndërsa situata është përkeqësuar dhe flakët kanë avancuar në drejtim të një stani, fare pranë shtëpive.  Një banor i zonës i tha Report Tv se flakët vijojnë prej 15 ditësh, ndërsa i rrezikohen bagëtitë e shtëpitë.

“Ka që më datë 15, ka pushuar 2-3 ditë, është aktivizuar prapë. Ne rrezikojmë bagëti. Rrezikohet shtëpitë e të gjitha.”

Avionët nga shteti fqinj erdhën pasditen e djeshme, ndërsa po ashtu, pas aktivizimit të Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE-së, edhe Italia dërgoi trupa dhe një avion zjarrfikës, të tipit Canadair, të cilët po operojnë në zonën e quajtur “Liqeni i Luleve”, në parkun Kombëtar të Lurës, një vatër gjithashtu aktive prej disa ditësh.

Mekanizmi i Mbrojtjes Civile të BE-së, teksa theksoi se tre avionët nga Greqia dhe Italia janë angazhuar në Vlorë dhe Dibër, thotë se janë të gatshëm që të japin ndihmë të mëtejshme nëse do të jetë e nevojshme.

Më herët, edhe ministria e Mbrojtjes njoftoi një plan masash që u ndërmorën gjatë mbledhjes së Komitetit të Mbrojtjes Civile. Ministri Pirro Vëngu bën me dije se duke pasur parasysh edhe temperaturat e larta që parashikohen këtë javë, do të rrisin nivelin e gatishmërisë së trupave vendore në dispozicion të prefektëve si dhe do të monitorojnë pandërprerë terrenin në çdo bashki për raportin të menjëhershëm.

Ministri thotë se trupat do të pozicionohen në zonat më risk më të lartë, ndërsa do të bashkërendohen me Mekanizmin Evropian të Mbrojtjes Civile për kapacitete shtesë nëse do të jetë e nevojshme.

Vatrat aktive kanë qenë sot edhe në zonat e Shkopetit në qarkun e Lezhës, Dishnicës në Korçë dhe të Vërnikut në Devoll, duke zgjeruar hartën e hektarëve me pyje e bimësi të shkrumbuar. Aksioni vijon në të gjitha vatrat aktive me forca të shtuara dhe mjete nga toka dhe ajri.